Me vendosjen e gur-themelit të stacionit të transformatorit në Ohër sot filloi realizimi i shtyllës interkonektive për transmetimin e energjisë elektrike mes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Italisë. Ky projekt është me rëndësi strategjike tha kryeministri Zaev.
“Sot e shënojmë startin e ndërtimit të stacionit të transformatorit me 400/110 KV në rajonin e Ohrit dhe Strugës, në afërsi të fshatit Mesheishta, i cili me hyrje dhe dalje do të lidhet me shtyllën e re interkonektive prej 400 kv mes Manastirit, RMV, dhe Elbasanit, Shqipëria”, tha Zoran Zaev.
Ndërtimi i shtyllës së transmetimit prej 400 KV Manastir – Elbasan, me gjatësi prej 97 kilometrave, do të thotë kompletimi i korridorit energjetik 8 i cili është pjesë e eksploatimit të resurseve energjetike nga rajoni i Kaukazit dhe Azia qendrore drejt vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Italisë.
“Ndërtimi i shtyllës së transmetimit prej 400 KV mes RMV-së dhe Shqipërisë do të kontribuojë për lidhjen dhe integrimin rajonal të tregjeve energjetike në rajon. Ky ishte edhe qëllimi i qeverisë kur e miratoi strategjinë e re për energjetikë, të gjitha reformat t’i bëjë në sektorin energjetik me qëllim që të lidhemi me fqinjët tanë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Me këtë investim u dërgohet mesazh investitorëve se krijohen kushte për punë dhe për plotësimin e nevojave për energji elektrike.
“Me këtë projekt siguruam furnizim cilësor dhe të pandërprerë me energji elektrike në ekonomi dhe i tejkalojmë problemet duke e përmirësuar rrjetin në pjesën jugperëndimore të vendit”, deklaroi Bllagoja Boçvarski, ministër për transport dhe lidhje.
Maqedonia e Veriut ka 5 interkonektorë me nivel të tensionit prej 400 KV, dy lidhje me Greqinë dhe nga një me Serbinë, Kosovën dhe Bullgarinë. Investimi kushton 50 milionë euro ndërsa pritet që të përfundojë deri në vitin 2023.
