Funksionarët me vetura “fancy” apo me trotinet, Qeveria ende nuk ka vendim për shfuqizimin e shpenzimeve rrugore

TË FUNDIT

Qeveria ende po shqyrton mundësin por nuk ka sjellë vendim për shfuqizimin e shpenzimeve rrugore që i bëjnë politikanët, përkatësisht deputetët dhe funksionarët e Qeverisë. Talat Xhaferi paralajmëroi se nëse Qeveria parashtron propozim për shfuqizimin e shpenzimeve rrugore të deputetëve, ai do të parashtrojë propozim të ri me të cilin do të kërkojë që të gjithë të heqin dorë nga veturat zyrtare dhe në punë të shkojnë me trotinet.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk ka sjell vendim në lidhje me këtë çështje. Nëse sillet vendim në ndonjë prej seancave, opinioni do të njoftohet menjëherë”, thonë nga Qeveria.

Xhaferi nuk pajtohet me idenë për shfuqizimin e shpenzimeve rrugore të deputetëve, por shton se kjo çështje duhet të rregullohet.

“Të shfuqizohen, nuk mendoj se duhet të shfuqizohen plotësisht, të rregullohen, po. Por pres aksion konkret si do të jetë më tej. Është keq të krijohet pamje se e gjithë e keqja në këtë shoqëri dhe në këtë shtet del nga Kuvendi dhe deputetë”, tha Xhaferi.

Përndryshe, rreth 44 deputet nga përmbajtja paraprake kanë kërkuar apanazh, por jo të gjithë i plotësojnë kushtet për këtë gjë. Kjo do të thotë se ata nuk do të punojnë asgjë por do të marrin para nga arka shtetërore.  Paraprakisht TV21 zbuloi sa kanë marrë deputetët nga përmbajtja paraprake parlamentare për më pak se 4 vite, ku për shpenzime rrugore gjithsej janë shpenzuar 1.495.996 euro. Më së shumti ka marrë deputeti, Alija Kamberovski, nga PAE, i cili ka udhëtuar nga Struga, 47.450 euro.

E dyta në listë është Beti Rabaxhievska Naumovska, nga Resnja, me 45.918 euro. Deputeti i ASH, Surija Rashidi, i cili për të ardhur në Kuvend nga Struga ka marrë 42.261  euro, e pas tij vijon Mira Stojçevska nga Dellçeva me 41.632 euro.  Më pas vijon Zoran Ilioski nga Manastiri me  40.692 euro, Emilija Aleksandrova nga Berova me 36.287 euro, Hari Lokvenec nga Prilepi me 35.774 euro, Mileva Gjorgieva nga Radovishi 34.358 euro, Agim Shaqiri nga Struga 33.379 dhe i fundit në listën e Top 10 është Dimitar Stevananxhija nga Prilepi me 31.705 euro për shpenzime rrugore. Por përveç shpenzimeve rrugore, deputetët kanë të drejtë që tu paguhet qiraja për banesë. Këtë javë, ish-deputetja Silvana Boneva u akuzua në lëndën “Pagesa rrugore”, në të cilën ajo akuzohet për paraqitjen e faturave të rreme fiskale nga pikat pagesore me çka i janë paguar shpenzimet rrugore prej rreth 6.5 milion denarëve.