Kush janë këshilltarët për ekonomi në Qeverinë e Zaevit? Pasi që zv.kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi kumtoi se ish zv.kryeministri, Vlladimir Peshevski dhe ish ministri për financa, Kirill Minovski mund të jenë pjesë e nismës “Për atdheun me dashuri” sot u bënë publik edhe disa emra të tjerë që mund të jenë pjesë e projektit. Pas spekulimeve, emrat zyrtarisht i kumtoi edhe Bytyqi. Por në listën e Bytyqit nuk janë emrat e Peshevskit dhe Minovskit për të cilët u çua pluhur në opinion. Rastësisht apo qëllimisht? Por, TV21 arriti deri te shkresa e takimit inicial të mbajtur më 2 dhjetor, ku figurojnë edhe emrat e Vlladimir Peshevskit dhe Kirill Minovskit, si dhe Viktor Mizo dhe Vele Samak, të gjithë funksionarë në kohën e Gruevskit.
Në statusin në Facebook zv.kryeministri e shpjegon platformën.
“Platforma “Për atdheun me dashuri” paraqet trup joformal për debat me persona që mund të japin mendime, këshilla dhe ekspertiza që të arrijmë deri te propozime dhe politikë më cilësore. Ata nuk janë profesionalisht të angazhuar si këshilltarë në kabinetin tim apo në Qeveri, mendimi i tyre nuk është i obligueshëm për Qeverinë dhe nuk do të marrin ndonjë lloj kompensimi”, u shpreh Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për çështje ekonomike.
Ekipi do të ndryshohet, varësisht temës – ka shkruar Bytyqi. Informon se pas takimit të parë ku ka pasur më shumë se 20 ekspertë ekonomik nga sfera të ndryshme, tani janë paraqitur edhe dhjetëra të tjerë që duan të marrin pjesë në takimet e ardhshme.
“Agim Mamuti, Blagica Petreski, Borçe Trenovski, Borçe Smilevski, Boris Eftimovski, Vanço Uzunov, Vele Samak, Visar Ademi, Veland Ramadani, Viktor Mizo, Goran Rafajlovski, Zoran Koçoski, Igor Ivanovski, Igor Andrev, Kosta Petrov, Ljupço Zikov, Marjan Petreski, Nikica Mojsovska Blazeska, Nikolla Popovski, Nina Fiti, Olimpija Zaevska Hristova, Sasho Kosev”
Në këtë listë nuk janë emrat e Peshevskit dhe Minovskit. Qytetarët me mendime të ndara.
“Nëse është kështu atëherë nuk është mirë”.
“Nuk ka logjikë, por te ne mundet…Nëse janë njerëzit pozitiv, nëse nuk kanë qenë të involvuar shumë me Gruevskin, nëse kanë cilësi, nuk është e keqe që të jenë të angazhuar. Nëse janë të lidhur me të, ka njerëz që ishin me Gruevskin…Nuk ka asgjë të keqe nëse janë njerëz pozitiv, nëse nuk kanë njollë për t’i kritikuar. Ne jemi popull i vogël dhe nuk kemi shumë mundësi për të zgjedhur për nga cilësia, për shkak se e kemi pak”.
“E keqe, e keqe, nuk është mirë…Ata janë njerëz të pushtetit i cili u vlerësua nga bashkësia botërore si pushtet diktatori, si pushtet i keq për popullin. Ata njerëz nuk duhet përsëri të jenë pjesë të pushtetit. …Ndoshta nuk kemi kuadro. Nëse nuk bëhet fjalë për ryshfet dhe korrupsion, nëse mungojnë kuadro, atëherë është e arsyeshme. Në përgjithësi, mendoj se nuk është mirë”.
Sot u përpoqëm të kontaktojmë disa prej personave të cilët do t’i ndihmojnë Qeverisë në pjesën e ekonomisë, por ata nuk ishin gati për koment. Shumë nga personat e përmendur të listës së Bytyqit që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie, për TV21 folën hapur se do të përmbahen nga analiza dhe deklarata për mediat, për shkak se presin angazhim në qeverinë e Zaevit. Nga Qeveria jo zyrtarisht komentojnë se nisma është përfolur dhe e njohur që para tre vjetëve dhe tani nuk ka nevojë që të çohet aq pluhur për këtë çështje.
