Departamenti amerikan i Shtetit shtoi dhjetëra funksionarë të tanishëm dhe të mëparshëm, deputetë, gjykatës dhe biznesmenë nga Amerika Qendrore në listën e njerëzve të cilët qeveria amerikane i konsideron si të “korruptuar dhe jodemokratë”.
Lista përfshin individë nga El Salvadori, Hondurasi, Guatemala dhe Nikaragua, ndërsa në mesin e 60 personave të tjerë janë përfshirë Hoze Ernesto Sanabria, sekretari për marrëdhënie me mediumet i presidentit të Salvadorit, Naxhib Armando Bukele Ortesia, këshilltari i tij juridik, dy gjykatës nga Gjykata supreme e Guatemalës, nënkryetari i Kongresit të Hondurasit dhe shumë ish-ministra nga e tërë Amerika Qendrore.
“Këta individë, të përzier në korrupsion, i pengojnë hetimet për korrupsion dhe i minojnë proceset dhe institucionet demokratike, e dobësojnë aftësinë e qeverive të rajonit për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve të vet dhe në atë mënyrë kontribuojnë për emigracionin ilegal dhe destabilizim të vendeve të tyre”, thotë sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken.
Autoritetet amerikane besojnë se me luftën kundër korrupsionit në Amerikën Qendrore do ta mënjanojnë njërën prej shkaqeve kryesore për emigracionin rekord ilegal në kufirin amerikano-meksikan, që paraqet problem politik dhe humanitar për presidentin amerikan Xho Bajden.
