“Fshesa” e Zaevit filloi nga Gostivari. Kështu thotë kryetari i kësaj Komuna Arben Taravari. Ai e akuzoi Ministrinë e arsimit për emërimin e drejtorëve të shkollave në Gostivar. Sipas tij për një vit e gjysmë drejtorët e shkollave janë ndërruar për të gjashtën herë e radhë.
“Kjo është për të gjashtën herë në Gostivar brenda 19 muajve ndryshohen drejtorët në Shkolla. Ka edhe këtu një rend hajde le ti ndryshojnë por le të pritshin edhe dy javë të mbaron viti shkollor. Kjo është e vështirë edhe për nxënësit. I ndërruan edhe për vikend para fushatës zgjedhore , tash dy javë para ndryshimit të mbarimit shkollor, s’dihet çka do të ndodh edhe në qeveri duket periudhë interesante por kjo është në kurriz të qytetarëve të Gostivarit, nxënësve profesorëve”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Për drejtorët që u emëruan sot, nga MASH thonë se ishin të shkarkuar në mënyrë joligjore.
Nga kjo ministri porosisin Taravarin, të fillojë të jetë i përgjegjshëm dhe t’i respektojë dispozitat ligjore në vend.
“Duke u udhëhequr nga parimet e respektimit të drejtësisë dhe transparencës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka për detyrë të veprojë në përputhje me kompetencat e saj, në çdo situatë, duke përfshirë edhe rastin në fjalë, ku u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore nga komuna e Gostivarit, lidhur me shkarkimin e drejtorëve të shkollave për arsye politike. Dhe, ritheksojmë se ndërhyrja e politikës nuk është e lejuar në fushën e arsimit, për shkak se dëmi më i madh u shkaktohet nxënësve dhe procesit të tyre edukativo-arsimor”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ndryshe MASH për një vit dy herë ia mori kompetencat Komunës së Gostivarit në sferën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve, arsyetimin se, Taravari me emërimin e drejtorëve, nuk ka zbatuar Ligjin për arsim.
Përgatiti: Zimer Jashari
