“Fshati mbi deponi”, banorët kërkojnë pastrim, Komuna fajëson qytetarët pa ndërgjegje

TË FUNDIT

Nuk kanë dasëm, por është një ditë e zakonshme në fshatin Vrapçe, Komuna e Studeniçanit në Shkup.

Kjo ndoshta bën që t’i harrojnë hallet që kanë. Pak metra larg muzikës, të pret kjo pamje.  

Mbeturina e bidonë të plastikës ka gjithandej, e kjo të lë përshtypjen se fshati është ndërtuar mbi deponi.

Më mirë nuk është as në hyrje të fshatit.

Banorët thonë se autoritetet e pastruan pak ditë më parë, por përsëri është mbushur me mbeturina.

 “Ja tani nuk ka as 10-15 ditë që është pastruar, edhe e rregulluan mirë, por përsëri po i hedhin atje mbeturinat.

“Kemi fëmijë duhet të ketë higjienë dhe pastërti”.

Janë me dhjetëra shtëpi të improvizuara në këtë pjesë të fshatit, e banorët po ankohen se nuk kanë as rrugë. Ndërsa nuk e mohojnë se edhe vetë i hedhin mbeturinat në përrua, meqenëse nuk ka kush t’i pastrojë.

 “Duam që të shtrohet asfalt, deri atje e kanë bërë këndej nga ne nuk e kanë shtruar me asfalt. Duam që të jetë më mirë kemi fëmijë”.

E njëjta gjë është edhe pak metra më tej, në fshatin Lubosh, në një gropë ku është nxjerrë rërë, ndërsa tani po përdoret si vend për hedhjen e mbeturinave.

Kontaktuam me kryetarin e Studeniçanit, Azem Sadikun, ai përmes telefonit na tha se deponitë janë pastruar disa herë, por fajëson qytetarët që pa ndërgjegje hedhin plehëra.

 “Komuna e Studeniçanit disa herë e ka pastruar deponin, por qytetarët e pa ndërgjegjshëm përsëri po i hedhin mbeturinat. Ne si komunën menjëherë do të kontaktojmë me punëtorët e higjienës komunale për ta pastruar përsëri atë vend”, theksoi Azem Sadiku – kryetar i Komunës së Studeniçanit.

Nga Organizata joqeveritare “Go green” thonë se problemi është i madh pasi që nuk ka deponi rajonale. Ndërtimin e të njëjtave e sheh si zgjidhje të vetme.

 “Nga njëra anë, është e lehtë të fajësosh institucionet që nuk merren me deponi ilegale ose t’u thuash njerëzve pse i hidhni këtu, dhe në fakt problemi është se nuk ekzistojnë deponi dhe plehrat me të vërtetë nuk kanë kë dërgohen. Apeli është që të përshpejtohet procesi dhe procedurat për ndërtimin e deponive rajonale në të gjitha rajonet, në mënyrë që institucionet të fillojnë të mënyrë adekuate t’i mbledhin mbeturinat siç duhet dhe pastaj t’i dënojnë qytetarët”, u shpreh Mila Jovanovska “Go Green”.

Problemi me deponitë e egra është fenomen që shqetëson mbarë vendin, për shkak se mungojnë deponitë e mirëfillta ku do të mblidheshin mbeturinat. Drislla është një prej tyre, por e pamjaftueshme për të përballuar kapacitete të mëdha. Në punim e sipër është ndërtimi i deponisë në Shën Nikollë e cila do ta mbulojë rajonin Verilindor që do të thotë komunat do të kenë më lehtë të menaxhojnë me deponitë e egra dhe pastrimin e tyre. Organizatat joqeveritare këmbëngulin se çdo rajon duhet të ketë deponi.

error: Content is protected !!