FSH: 40 milionë euro për kirurgjinë kardiake, thuajse gjysma e mjeteve shkojnë për dy spitale private

TË FUNDIT

Fondi i Sigurimit Shëndetësor për vitin 2025 ka ndarë rreth 40 milionë e 310 mijë euro për spitalet kardiokirurgjike në vend. Nga kjo shumë, pothuajse gjysma, përkatësisht 18 milionë 665 mijë euro u ndahet dy spitaleve private të cilat kryejnë këto shërbime përmes Fondit. Ndërsa 21 milionë e 645 mijë euro të mbetura ndahen për klinikat kardiokirurgjikale publike, të cilat kryejnë operacione për sëmundjet e zemrës. Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski tha se për këtë periudhë ka pasur 9 ankesa për pagesat e larta të spitaleve private të kirurgjisë vaskulare.

“Më duhet ta them se në kirurgjunë vaskulare ka listë të pritjes për disa muaj, e kam fjalën për operacionet që i mbulon fondi dhe ndonjëherë pacientët shkojnë pa pritur radhën duke firmosur deklaratë që të operohen me shpenzimet e tyre. Nëse deklarohen për operacion privatisht ne nuk kemi më tej çfarë të bëjmë”, tha Sasho Klekovski – Drejtor i Fondit Shëndetësor.

Në 2025 Fondi ka ndarë 2,475 miliard denarë për spitalet kardikirurgjike publike dhe private ose mbi 40 milionë euro, të cilat ndahen në bazë të kritereve të mortalitetit të pacientëve që nënkupton se vitin e fundit rreth 60% ka qenë vdekshmëria vetëm nga sëmundjet kardiovaskulare. Klekovski tha se brenda dy javësh do të konsolidohet komisioni për të kontrolluar të gjitha dosjet në spitalet private dhe publike.

“Këtu ka të kyçur kontrollues nga Fondi por edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë për të zgjedhur metodologjinë e punës dhe cili do të jetë vëllimi i kontrollit. Duhet të shikohet edhe kardiologjia intervenuese publike dhe private por edhe kardiokirurgjia që ka goxha shumë punë. Bie fjala në rastin e Onkologjisë kontrolli ishte më i thjeshtë sepse ishte vetëm në një klinikë për kontroll”, u shpreh Sasho Klekovski – Drejtor i Fondit Shëndetësor.

Këto sqarime të Fondit Shëndetësor erdhën pasi Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ngriti komision të posaçëm për të analizuar të dhënat e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare në periudhën nga janari 2022 deri në Gusht 2025 në institucionet private dhe publike të kujdesit shëndetësor.