Fronti Europian braktis senancën! Gashi për TV21: Dora ime do të jetë e shtrirë për të gjithë

TË FUNDIT

Me 76 vota PËR dhe 6 KUNDËR, Afrim Gashi u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit. Gashi mori mbështetje të plotë nga VMRO-DPMNE, nga deputetët e VLEN si dhe nga Lëvizja Znam. Levica votoi kundër, ndërsa LSDM nuk votoi.

Duke prezantuar kandidaturën e Gashit, Izet Mexhiti nga VLEN tha se Gashi është një ndër politikanët e rallë që nuk është i përfshirë në asnjë dukuri të ligë të korrupsionit apo abuzim me pushtetin.

“Afrim Gashi është një ndër deputetët e paktë, madje ndër politikanët e rrallë që nuk është përmendur në asnjë rrethanë, për asnjë temë, që ka të bëjë me dukuri të liga siç është korrupsioni apo abuzimi me pushtetin edhe pse partia e tij ka marrë pjesë në pushtet”, tha Izet Mexhiti – VLEN.

Pak minuta para se të fillojë votimi për kryetarin e Kuvendit, deputetët e Frontit Europian braktisën seancën.

Pasi bëri betimin, Afrim Gashi zbriti tek salla e kristalt, ku deputetët e shumicës parlamentare, një nga një e uronin për funksionin e ri. Ndonëse nuk e votuan, atë e uruan edhe deputetët e LSDM-së.

Vijoi pranim dorëzimi i detyrës nga kryetari i deritanishëm i Kuvendit, Jovan Mitrevski.

Duke komentuar braktisjen e seancës nga ana e Frontit Europian, Afrim Gashi në intervistën e tij të parë si kryetar parlamenti, për TV21 tha se megjithatë ai do ta ketë dorën e shtrirë për të gjitha partitë politike, dhe do të bëjë çmos që të ngritë kulturën politike.


“Po, partitë politike vendosin konform një votimi të qëndrojnë në sallë, të votojnë apo mos të votojnë. Pro apo kundër është pjesë e demokracisë. Unë e respektoj vendimin e tyre. Besoj se ata do të japin spjegime pse e kanë bërë të njejtën. Sidoqoftë, dora ime është e shtrirë për të bashkëpunuar. Unë do të jem kryetar i të gjithë deputetëve, të gjitha partive dhe do të bëj çmos që ta ngritim kulturën politike dhe të jemi në shërbim të qytetarëve”, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Gashi shprehet se pas 22 viteve qeverisje, BDI-së do t’i bëjë mirë kalimi në opozitë. Kjo sipas tij, do t’i bënte mirë demokracisë veçanërisht asaj shqiptare.


“Po mendoj se nga aspekti i qeverisjes 22 vjeçare, mendoj se shqiptarët e kanë dashur një rotacion politik. Në funksion të kësaj 22 vite nuk është periudhë e shkurtër. Prandaj mendoj se është mirë që pas 22 viteve një parti politike që ka qenë në pushtet tash është në opozitë. Është mirë për demokracinë në përgjithësi sidomos për demokracinë tek shqiptarët. Rotacioni politik do i bëjë mirë demokracisë tek shqiptarët. Edhe partive politike në pozitë dhe opozitë dhe kështu mendoj se do të piqemi politikisht edhe pozita edhe opozita. Qëllimi është që si politikan të marrim vendime sa më të drejta sa më të mira në shërbim të qytetarëve”, u shpreh kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.

Para se të fillojë seanca konstituive, Elmi Aziri nga Fronti Europian paralajmëroi krizë të legjitimitetit nëse realizohet formimi i qeverisë mes VLEN dhe VMRO-DPMNE-së.


“Ende nuk janë në sipërfaqe numrat e shumicës. Nëse ndodhë ajo që po përflitet në opinion se do të ketë koalicion mes VMRO-së dhe VLEN-it, besoj se do të na shfaqet problemi i krizës së thellë të legjitimitetit dhe pastaj shtrohet pyetja çfarë t’i bëjmë ne legjitimitetit që e kemi marrë prej qytetarëve”, potencoi Elmi Aziri nga Fronti Europian.

Përndryshe Afrim Gashi është kryetari i dytë shqiptar në Maqedoninë e pavarur. I pari ishte Talat Xhaferi, ndërsa gjatë periudhës së komunizmit, kuvendi i Maqedonisë ka pasur një kryetar Kuvendi shqiptar, Vullnet Starovën. Gashi për TV21, tha se praktika e kryeparlamentarit shqiptar duhet të vazhdojë edhe më tej derisa nuk të absolvohet çështja e barazisë mes qytetarëve dhe nuk shikohemi me sy etnik.