Maqedonia edhe zyrtarisht e filloi operacionin me Fronteks me çka mbi 110 nëpunës nga 13 vende europiane prej sot do të jenë në kufirin jugor mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Policët e Fronteksit tashmë janë në vendin tonë dhe ishin të pranishëm gjatë zyrtarizimit të marrëveshjes. Ata do t’u ndihmojnë kolegëve të tyre të Maqedonisë për ballafaqim më të mirë me migracionin ilegal, trafikimin me emigrantët dhe krimin ndërkufitar, për shkak se Maqedonia është pjesë e rutës ballkanike prej ku emigrantët shkojnë drejt vendeve të BE-së. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha se është rritur numri i rasteve të zbuluara me trafikim të emigrantëve por shtoi se kjo nuk është zgjidhje për problemin me ta.
“Pse është rutë atraktive ballkanike perëndimore? Për shkak të pozitës gjeostrategjike që e ka i gjithë rajoni dhe këtu kryqëzohen të gjithë rrugët dhe është këtu, për emigrantët paraqet momentin më të lehtë për qasje deri në BE. E dyta, është punë shumë e rëndësishme që BE solli vendim për nënshkrimin e marrëveshjeve me vende të treta për shkak se pa që vetëm së bashku mundemi të përballemi me pasojat e migrimit”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Drejtori ekzekutiv i Fronteks, Hans Leijtens, porositi se bashkëpunimi do të thotë përafrim i Maqedonisë drejtë BE-së.
“Do të doja që kjo të zgjidhet. Atëherë emigrantët do të ndalojnë së shfrytëzuari këtë apo cilëndo rutë tjetër, kjo do të jetë më mirë edhe për emigrantët për shkak se nuk do të bien në duart e trafikantëve dhe bandave kriminele. Por mendoj se është e rëndësishme që ne shtuam vlera për shkak se kufijtë janë të rëndësishëm për trafikantët sepse ky është biznes modeli i tyre. Ne do të jemi më prezent dhe kjo do të sigurojë cilësi më të lartë dhe bashkëpunim më të mirë në kufij dhe jam i bindur se kjo do të ndihmojë në luftën kundër krimit, bandave si dhe do t’i ndihmojë atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha Hans Leijtens, drejtor ekzekutiv i Fronteks.
Operacioni i parë fillon sot dhe do të zgjasë deri vitin e ardhshëm. Është paraparë që fillimisht të mbulohet kufiri jugor me Greqinë, e më pas të zgjerohet edhe drejt kufijve me Serbinë dhe Shqipërinë. Përndryshe marrëveshja me Forteks u nënshkrua në tetor 2022.
