Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim me myftiun e Tetovës, Selver Xhemaili, dhe mitropolitin e Eparhisë së Tetovës dhe Gostivarit, Josif, ku kanë diskutuar për incidentet e fundit ndëretnike në qytet.
Bashkëbiseduesit i kanë cilësuar incidentet si raste të izoluara, të cilat, sipas tyre, disa persona po përpiqen t’i shfrytëzojnë për qëllime të tyre. Pas takimit, ata kanë përcjellë një mesazh të përbashkët për paqe, tolerancë dhe mirëkuptim ndërmjet të gjitha komuniteteve.
Në mesazhin e përbashkët theksohet se paqja, siguria dhe bashkëjetesa janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.
Ata kanë vlerësuar se Tetova është shembull i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme etnike, duke porositur se nuk do të lejojnë që fëmijët të keqpërdoren për nxitjen e tensioneve ndëretnike.
Në fund, kanë bërë thirrje për qetësi, tolerancë dhe përgjegjësi pas incidenteve të fundit në qytet.
