Franca mbyllet për shkak të Kovid-19, nuk ka hyrje në vend

TË FUNDIT

Sipas masave të reja për karantinë, të cilat prej sot hyjnë në fuqi dhe do të zgjasin deri më 1 nëntor, kufijtë e Francës do të mbyllen për të gjitha vendet të cilat nuk janë anëtare të BE-së.

Kryeministri francez Zhan Kasteks, duke i shpjeguar masat e reja, theksoi se qytetarët do të mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për të blerë ushqim, për në punë apo për arsye shëndetësore dhe raste urgjente familjare.

Kasteksi deklaroi se gjatë kohëzgjatjes së masave të reja, ushtrim në ambient të hapur do të lejohet vetëm një orë në ditë. Ai shtoi se madje edhe fëmijët mbi gjashtë vjet do të duhet të mbajnë maska gjatë mësimit.

Ministrja e Punës Elizabet Born theksoi se do të jetë e detyrueshme puna nga shtëpia gjithë javën, përveç nëse kjo teknikisht nuk është e mundur.

Presidenti francez Emanuel Makron mbrëmë deklaroi se në vend sërish do të vendoset karantinë në nivel kombëtar në përpjekje që të parandalohet përhapje e epidemisë së Kovid-19, që rrezikon të dalë nga kontrolli.