Franca dhe Spanja përballen sonte për biletë në finalen e Botërorit 2026

TË FUNDIT

Franca dhe Spanja do të përballen sonte në Teksas në gjysmëfinalen e Botërorit 2026, në një duel mes dy prej kombëtareve më të suksesshme të futbollit evropian. Franca, kampione e botës në vitin 2018, synon finalen e tretë radhazi në Kupën e Botës, ndërsa Spanja kërkon të rikthehet në finalen e madhe për herë të parë që nga triumfi historik i vitit 2010.

“Gjelat” kanë zhvilluar një turne pothuajse perfekt. Pas tre fitoreve në fazën e grupeve, ata eliminuan Suedinë (3:0), Paraguain (1:0) dhe Marokun (2:0), duke mos pësuar asnjë gol në fazën me eliminim direkt. Përzgjedhësi Didier Deschamps do të vendosë një rekord të ri me ndeshjen e tij të 26-të në historinë e Botërorëve si trajner dhe synon ta udhëheqë Francën drejt një tjetër finaleje. Ndërkohë, Kylian Mbappé pritet të jetë i gatshëm, pavarësisht se u zëvendësua në çerekfinale ndaj Marokut.

Nga ana tjetër, Spanja nisi turneun me një barazim pa gola ndaj Kepit të Gjelbër, por më pas gjeti ritmin duke fituar grupin dhe eliminuar Austrinë (3:0), Portugalinë (1:0) dhe Belgjikën (2:1). Heroi i dy ndeshjeve të fundit ka qenë Mikel Merino, i cili realizoi golat vendimtarë në minutat e fundit. Skuadra e Luis de la Fuente nuk ka humbur asnjë ndeshje në kohën e rregullt që nga marsi i vitit 2024 dhe numëron 36 takime radhazi pa humbje, duke iu afruar rekordit historik të Italisë.

Statistikat favorizojnë një përballje të fortë. Franca ka realizuar 11 nga 16 golat e saj në pjesën e dytë dhe ka mesataren më të lartë të goditjeve në portë në turne (7.8 për ndeshje), ndërsa Spanja ka fituar mesatarisht 7.33 goditje nga këndi për ndeshje. Në planin individual, Ousmane Dembélé ka shënuar pesë gola në këtë Botëror, ndërsa Lamine Yamal, edhe pse ende nuk ka shpërthyer në këtë edicion, ka realizuar tre gola në dy ndeshjet e fundit ndaj Francës dhe synon të jetë vendimtar edhe këtë herë.

Ballafaqimi mes Francës dhe Spanjës nis nga ora 21;00.