Televizioni amerikan Fox News ka publikuar një artikull kritik ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian ndaj liderëve politikë në Ballkan, duke veçuar rastin e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Sipas artikullit, ndërsa Evropa pretendon se është mbrojtëse e vlerave demokratike, në realitet po fuqizon liderë me prirje autokratike, si Rama.

Sipas Fox News, Rama është rizgjedhur në një mandat të katërt, duke kontrolluar një supermazhorancë në Kuvend që i mundëson të ndryshojë edhe Kushtetutën, pa ndonjë kontroll të balancuar institucional. Për këtë arsye, kritikët e kanë quajtur “Ramaduro” i Evropës, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me presidentin autoritar të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Artikulli gjithashtu e përshkruan Ramën si një ish-dishepull të George Soros-it dhe të organizatës së tij Open Society, duke e akuzuar se është kthyer në një kameleon politik që përshtatet sipas interesave të elitave globale dhe aleatëve rajonalë.
Në thelb, Fox News ngre shqetësimin se Bashkimi Evropian, në emër të stabilitetit, po toleron sjellje autokratike, ndërkohë që zyrtarisht mbron vlerat demokratike. Artikulli sugjeron se Rama ka ndërtuar një pushtet personal të fortë, të mbështetur nga ndërkombëtarët, ndërsa brenda vendit përballet me akuza për korrupsion, kontroll të mediave dhe presion mbi drejtësinë.
“I njohur për retorikën e tij kundër Trump-it—duke përfshirë deklaratën famëkeqe në CNN dhe në revistën Foreign Policy ku e quajti Trump-in “turpi i civilizimit tonë”—Rama u bë i preferuar për elitat evropiane dhe për demokratët amerikanë. Mbijetesa e tij politike ka varetur nga rreshtimi me rendin anti-Trump, edhe pse udhëheqja e tij brenda vendit ka marrë gjithnjë e më shumë tipare autoritare. Sot, ndërsa Evropa përballet me një botë multipolare dhe sfida të ndërlikuara gjeopolitike, ajo gjithnjë e më shumë toleron—nëse jo përqafon—liderë si Rama. Pse? Sepse ai deklaron besnikëri ndaj “vlerave evropiane”, edhe pse, sipas kritikëve, qeveris një narko-shtet të ndërtuar mbi krimin e organizuar dhe manipulimin elektoral. Rama përfaqëson një version evropian të modelit Chávez-Maduro: një autokrat i majtë, i veshur me gjuhë progresiste, që ushtron pushtet pa shumë konsideratë për normat demokratike. Ai mishëron stabilokracinë që po e përmbyt Ballkanin—regjime që tolerohen në emër të qetësisë rajonale, edhe pse gërryejnë vetë vlerat që Evropa pretendon se i mbron”, shkruan Fox News.
