Forumi Rinor i ASH-së kërkon Qeveria t’i subvencionojë studentët me nga 100 euro

TË FUNDIT

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët, ka kërkuar nga Qeveria që të subvencionohet studentët me nga 100 euro.

Siç sqaroi kryetari i FRASh-it, Omer Ajdini qëllimi është t’u dilet në ndihmë studentëve dhe familjeve të tyre, të cilët gjatë kësaj kohe janë të goditur ekonomikisht si shkak i masave qeveritare për parandalim të virusit korona.

“ASh propozon që Qeveria t’i subvencionojë të rinjtë mbi moshën 18-vjeçare me 100 euro për një muaj, me qëllim që t’u lehtësohet gjendja financiare atyre dhe familjeve të tyre”, tha Ajdini.

Ai ka deklaruar se edhe pse studentët nuk vijojnë mësimin në universitete, por në distancë, sërish vazhdojnë të paguajnë qiranë e banesave që i kanë zënë që nga fillimi i vitit akademik.

“Ne kërkojmë që Qeveria të marrë masa të nevojshme që barra e qirasë për këto banesa të studentëve të lehtësohet ashtu sikurse paraqitja e provimeve në javën në vijim të hiqet. Meqë kriza ekonomike do të vazhdojë të ketë efekt edhe në muajt në vijim, ne propozojmë që participimi për semestrin e ardhshëm dhe pagesa për punë praktike të përgjysmohen apo të hiqen në tërësi. Në asnjë moment ne nuk duhet ta harrojmë se shumica dërmuese e studentëve janë të papunë, përderisa familjet e konsiderueshme të kësaj kategorie edhe gjatë kësaj periudhe të rënduar ekonomike duhet të kujdes për ta”, tha Ajdini.

Ata konsiderojnë se kjo shumë është e arsyeshme për shtetin, por shumë e domosdoshme për studentët.