Forumi i Pestë Socioekologjik në Shkup: Betonizimin dhe hapësirat e braktisura t’i zëvendësojmë me gjelbërim

TË FUNDIT

Hapësira publike të rregullohet sipas nevojave të qytetarëve – në vend të betonizimit dhe hapësirave publike të braktisura, të krijojmë një qytet të bukur për të gjithë qytetarët. Këto ishin pjesë nga pikat e forumit të pestë Socioekologjik që u mbajt në hapësirën e konferencave në  CoWork21 në Televizionin 21. Të rinj, ekspertë nga vendi dhe jashtë, politikanë, aktivistë nga sektori qytetar shkëmbyen ide se si të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të gjelbër.

“Njëra është të krijohet një hapësirë që është rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, dmth. të trajtojmë problemin e mungesës së gjelbërimit në hapësirën publike, e cila është shumë e dukshme veçanërisht në Shkup, sepse po ndodh një betonizim i tepruar dhe çdo pëllëmbë përdoret për diçka që të ndërtohet, në vend që të lirohet. Punëtoria e dytë është përfshirja, dmth. që ajo hapësirë duhet të jetë e aksesueshme për të gjithë dhe që çdo njeri të mund të ketë qasje. Këtu flas për nivelimin e papërshtatshëm të hapësirës publike, që e bën të paaksesueshme për persona me nevoja të veçanta, ndoshta edhe për nëna me karroca. Dhe e treta është se si të bëhet hapësira më efikase energjetikisht”, tha Iva Petrunova, arkitekte.

“Këtë herë vendosëm t’i mblidhnim të gjithë aktorët, aktivistët, politikanët, sektorin qytetar dhe mendimtarët nga Europa për të diskutuar për “placemaking”-un, sepse nuk është vetëm një koncept urbanistik, por si një mjet për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe më të gjelbër, për të cilën duhet të jetojë secili prej nesh”, u shpreh Marko Mihailoski, drejtor ekzekutiv i Institutit.

Pjesëmarrësit me një mesazh për politikanët: të mos udhëhiqen nga opinionet popullore për të fituar vota, por të rregullojnë hapësirën sipas nevojave të qytetarëve.

“Kur bëhet fjalë për politikat që bëjnë politikanët tanë dhe partitë tona, mendoj se ekziston një problem i madh me arsimin e pamjaftueshëm, informimin e pamjaftueshëm dhe sigurisht spekulimin e pranishëm. Mendoj se, si dëshmitarë të kësaj fushate politike që po zhvillohej, partitë politike udhëhiqen nga opinionet popullore, duke dashur të fitojnë votat, por shumë pak prej tyre me të vërtetë e kuptojnë se çfarë është e nevojshme në hapësirë dhe cilat janë ato mjete për ta bërë qytetin të bukur për të gjithë qytetarët”, u shpreh tha Iva Petrunova, arkitekte.

Organizatorët e Forumit të Pestë Socioekologjik janë Fondacioni „Friedrich Ebert“ – Zyra Shkup dhe Instituti „Progres“ për Demokraci Sociale.