Formimi i Fondacionit “Shkupi 2028”, reagon Esnafi i Çarshisë: U përjashtua Çarshia e Vjetër e Shkupit, neglizhencë serioze ndaj trashëgimisë kulturore që përfaqësojmë

TË FUNDIT

“Është e pakuptimtë dhe e papranueshme që në një projekt që pretendon të përfaqësojë kulturën e qytetit të mungojë përfaqësimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit”, kështu tha Esnafi i Çarishisë së Shkupit pas fomimit të Fondacionit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, që siç thotë, Fondacioni synon të promovojë diversitetin, bashkëpunimin kulturor dhe identitetin e pasur të Shkupit, por që në realitet nuk përfaqëson diçka të tillë. Siç thuhet në reagimin publik të Esnafit të Çarishisë, përjashtimi i tyre është neglizhencë ndaj trashëgimisë kulturore që përfaqësojnë ndërkohë që bëri thirrje për përfaqësim të denjë të të gjithë faktorëve që kanë kontribuar dhe
vazhdojnë të kontribuojnë në identitetin kulturor të Shkupit. Esnafi tha se bashkëpunimi do të jetë reciprok, që siç theksoi, do t’i injorojnë dhe bojkotojnë plotësisht aktivitetet e këtij fondacioni.

“Esnafi i Çarshisë përfaqëson mbi 400 anëtarë aktivë dhe mbi 1000 biznese që veprojnë në zemrën historike të Shkupit. Për dekada me radhë kemi ruajtur traditën, zanatet, monumentet dhe frymën autentike të qytetit. Prandaj, përjashtimi i Esnafit nga çdo proces konsultativ dhe vendimmarrës nuk mund të konsiderohet rastësi, por një neglizhencë serioze ndaj trashëgimisë kulturore që përfaqësojmë. Edhe më shqetësues është fakti që në krye të Fondacionit është emëruar një personazh publik, veprimtaria e të cilit ka qenë vazhdimisht objekt kritikash nga opinioni publik për qasjen ndaj diversitetit kulturor dhe gjuhësor në institucionet që ka drejtuar. Një projekt që mban vulën e Bashkimit Evropian duhet të udhëhiqet nga figura që gëzojnë besim të gjerë shoqëror dhe që mishërojnë vlerat e përfshirjes, barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm atë që është logjike, e drejtë dhe në frymën e vlerave evropiane: përfaqësim të denjë të të gjithë faktorëve që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në identitetin kulturor të Shkupit.
I bëjmë thirrje Qytetit të Shkupit dhe Fondacionit “Shkupi 2028” që të rishikojnë përbërjen dhe qasjen e tyre ndaj institucioneve dhe organizatave që bartin vlera të mirëfillta historike e kulturore. Nuk mund të flitet për “Kryeqytet Evropian të Kulturës” duke anashkaluar Çarshinë e Vjetër, e cila për shekuj ka qenë ura lidhëse ndërmjet kulturave, feve dhe qytetërimeve. Çarshia e Shkupit ka qenë dhe do të mbetet evropiane me ose pa fondacionet e politizuara e përjashtuese të Qytetit të Shkupit. Ne nuk do të lejojmë që tradita dhe mikpritja jonë të përdoren si dekor i thjeshtë për projekte, nga të cilat përjashtohet vetë shpirti dhe identiteti i vërtetë i Shkupit shumetnik”, thuhet në reagimin e Esnafit të Çarishisë së Shkupit.