FNA kritikon zgjedhjen e rektorit të ri të UT-së / “Zejneli nuk ka asnjë punim shkencor në revista ndërkombëtare”

TË FUNDIT

Forumi për Ndryshime në Arsim, zgjedhjen e Jusuf Zejnelit si rektori i UT-të e cilëson si zgjedhje autokratike, me presione të ndryshme, ndërsa për rektorin e ri thonë se nuk ka asnjë punim shkencor të publikuar në revista ndërkombëtare.

“Partitë politike nuk e duan UT-në, as s’ia duan të mirën asaj, por ja duan të mirat financiare që burojnë nga ky institucion. Kjo vërtetohet me faktin që partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kryer presione nga më të ndryshmet që në krye të UT-së të vendoset një person tërësisht i padenjë për të udhëhequr, i cili sipas hulumtimeve të FNA-së në “Google Scholar” rezulton që të mos ketë asnjë punim shkencor në revista kredibile ndërkombëtare, që është shkatërruese për UT-në. Jusuf Zejneli ka vetëm dy punime të publikuara në revistën grabitqare European Scientific Journal, e cila sipas Listës së Beallit njihet si “predator journal” ose revistë grabitqare, ndërsa punimet tjera i ka të publikuara në revista lokale pa asnjë kredibilitet akademik”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Sipas Hodait në UT ka edhe shkelje të tjera sidomos në avancim, ku profesorë në kundërshtim me ligjin janë bërë docentë.

“Parashtresa e dytë ka të bëje me avancimin akademik sipas hulumtimit tonë të kundërligjshëm në titullin docent të profesorit Agron Alili, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. Alili është avancuar në kundërshtim me nenin 166 të Ligjit për Arsim të Lartë i cili thotë se “me titullin mësimor – shkencor docent, mund të zgjidhet vetëm personi që ka realizuar mesatare së paku tetë për çdo cikël në veçanti”. Por përkundër kësaj mesatarja e profesorit Agron Alili në ciklin e parë ka qenë 6.7 ndërsa në ciklin e dytë 9.0”, tha Hodai.

Nga Forumi për Ndryshime në Arsim bëjnë apel që të partitë t’i mbajnë duart larg nga arsimi e sidomos nga universitetet, ndërsa sigurojnë se Forumi do të vazhdojnë të denoncojë rastet e shkeljeve.