“Fluturime” majtas-djathtas para zgjedhjeve! Koalicioni i LSDM-së i përgjysmuar, VMRO-DPMNE ia merr partnerët

TË FUNDIT

A u përgjysmua koalicioni i udhëhequr nga LSDM? Një pjesë e partive, siç janë “Dinjiteti” e Stojnaçe Angellovit, “Të bashkuar për Maqedoninë” e Lube Boshkovskit, ndërsa paraprakisht edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, nuk janë më në koalicioni me socialdemokratët. Jozyrtarisht negociata me VMRO-DPMNE-në po zhvillojnë edhe disa parti. Me këtë VMRO-DPMNE-ja e përforcon pozitën e saj në skenën politike pikërisht para zgjedhjeve.

Nënkryetari i partisë, Aleksandar Nikollovski, konfirmoi se një pjesë e partive kanë kaluar në anën e tyre dhe shtoi se ende po zhvillohen bisedime, si dhe disa parti nga pushteti i kanë refuzuar.

“Ideja jonë është që të zgjerojmë atë që tani është si koalicion. “Për ripërtëritjen e Maqedonisë” në një koalicion më të gjerë që do të mundet të fitojë më së shumti deputetë në zgjedhjet e ardhshme dhe do ta udhëheqë Qeverinë. Bashkëpunimi me të gjithë është në mënyrën e njëjtë parimore siç ka qenë deri më tani, kështu që secili që dëshiron të na bashkëngjitet, ndërsa e mbështet programin e VMRO-DPMNE-së, është i mirëseardhur. Ka edhe parti politike nga pushteti aktual që dëshiruan të bisedojnë me ne, por ne menduam se ata nuk duhet të bisedojnë me ne, për shkak se vlerësojmë se nuk ndajmë qëndrime të njëjta”.

Lube Boshkovski këto ditë duke e shpjeguar kalimin nga e djathta në të majtë, tha se partia e tij “Të bashkuar për Maqedoni” çdo herë i ka takuar opsionit të majtë dhe se vendimi i tij për koalicion me VMRO-DPMNE është për arsye ideologjike.
Nga ana tjetër, braktisja e LSDM-së, sipas kreut të partisë “Dinjiteti”, Stojançe Angellov ndodh pasi me VMRO-DPMNE u dakorduan për dëmshpërblimin e invalidëve të luftës. Ai sot edhe zyrtarisht e konfirmoi transferimin në VMRO-DPMNE.

“Ne e thamë publikisht, e shpallëm publikisht se dalim nga koalicioni me LSDM, kjo është e pakontestueshme dhe hyjmë në koalicion me VMRO-DPMNE. Për këtë e njoftova kryesinë e LSDM-së, do të përsëris, me kohë”.

Edhe pas largimit të pjesë të partnerëve të koalicionit, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski dje tha se partia ka kapacitet më të madh për koalicione dhe se atje kanë mbetur partnerët kyç që nuk janë derivate të disa partive politike dhe që kanë angazhime të vërteta në programin e përbashkët. E derisa disa largohen, disa të tjerë po bashkëngjiten. Sot në hapësirat e LSDM-së, Kovaçevski nënshkroi memorandum për bashkëpunim me lëvizjen “Republika e Re” të Ivon Veliçkovskit. Kjo do të jetë një lloj rikthimi i Veliçkovskit i cili një kohë të gjatë abstenoi nga politika, ndërsa paraprakisht ishte anëtar dhe kryetar i Partisë liberale.