Pas pothuajse një viti filloi seanca gjyqësore për spitalin modular në Tetovë, por ajo menjhëherë u anulua për shkak mungesës se dy të akuzuarve Artan Etemi dhe Boban Vuçevski të cilët nuk u paraqitën në seancë. Të pranishëm ishin vetëm i akuzuari i parë Florin Besimi dhe një përfaqësues nga Spitali Klinik i Tetovës.
Gjykatësi i lëndës Jordan Vellkovski seancën e shtyu për më 14 tetor.
“Gjithë atë që kam të them për rastin tragjik do e them para gjykatës. Lus juve që të ndiqni këtë proces dhe unë personalisht i besoj procesit gjyqësor dhe besoj se e vërteta do të dëshmohet. Jam i bindur dhe duhet të kenë durim mediat deri sa të fillojë procesi, se jam i bindur se me fakte dhe argumente do ta dëshmojmë të vërtetën dhe kam besim se do të dalë e vërteta”, tha Florim Besimi – ish drejtor i Spitalit Klinik Tetovë.
Për djegien e spitalit modular ku jetën e humbën 14 persona, dy drejtorët e spitalit, përgjegjësi i spitalit modular dhe Spitali i Qytetit të Tetovës do të ndiqen penalisht për veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mos veprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.
Kohë më parë prokuroria njoftoi se sipas ekspertizës së MPB-së, zjarri në spitalin modular ka ardhur si pasojë e djegies së kabllos vazhduese, në të cilin është vendosur një aparat defibrilator-reanimues, një karrikues celulari dhe një tjetër pajisje tjetër. Ndërsa Qeveria kërkoi ndihmë edhe nga ekspertë gjerman të cilët raportin e përfunduan në janar të këtij viti. Familjarët kanë kërkuar që rasti të zbardhët sa më parë, ndërsa një pjesë e tyre janë duke kërkuar dëmshpërblim për jetët e humbura të më të dashurve të tyre. Zjarri në spitalin modular filloi nga një dhomë ku trajtoheshin të infektuarit me Covit 19. Nga zjarri 14 persona e humben jetën e mes tyre kishte edhe familjarë që përkujdesshin për pacientë.
