Flakadanë në Kuvendin e Shqipërisë! Opozita krijon tensione, zënë karriget e ministrave

TË FUNDIT

Deputetët e opozitës në Shqipëri kanë penguar nisjen normale të punimeve të seancës së sotme plenare, duke zënë karriget e ministrave në Kuvend. Për largimin e tyre u desh ndërhyrja e gardës.

E gjersa vijonin përplasjet mes deputetëve dhe punonjësve të Gardës, deputeti i PD-së, Klevis Balliu ndezi flakadanë. Po ashtu, flakadanë kanë ndezur dhe deputetët Albana Vokshi dhe Fidel Kreka. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u bëri thirrje deputetëve të ndërpresin veprimet e dhunshme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje forcave të sigurisë që mos të prekin deputetët, pasi sipas tij, ky është akt kriminal, i turpshëm dhe i pashembullt. “Jeni ju që mbroni hajdutët. Do të përballeni me proceset më të rënda. Ju që prekni deputetët do përballeni me proceset më të rënda”, tha Berisha.

Në këtë klimë të tensionuar, Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës projektligjet në rendin e ditës.