Me faljen e namazit të Bajramit, nisi festa e Fitër Bajramit. Xhamitë e vendit u mbushën përplot me besimtarë. Edhe pse koha ishte me shi, shumë prej tyre e falën namazin jashtë. TV21 ishte në Xhaminë e Rinisë në Tetovë, ku imami Ibrahim Alija, në mesazhin e tij gjatë hytbes dhe para kamerës, bëri thirrje që kjo festë të jetë festë pajtimi dhe që hatërmbetjet të lihen pas. Ai apeloi që besimtarët, edhe pas Ramazanit, të vazhdojnë të sillen sikur të ishin agjërueshëm.
Qytetarët që takuam në xhami bëjnë apel për solidaritet dhe mirësi. Ata theksojnë se të gjithë duhet të festojmë, por pa harruar askënd. Sipas tyre, kjo festë sjell gëzim dhe duhet të festohet me zemër të hapur dhe dashuri.
Pas faljes së namazit të Bajramit, besimtarët urojnë njëri-tjetrin dhe kthehen në shtëpi. Më pas, shijojnë drekën e Bajramit dhe vizitojnë familjarët. Bakllavaja është ëmbëlsira tradicionale që e zbukuron këtë festë.
