U nënshkrua marrëveshja e grantit për financimin e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fatih Turkmenoglu dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski. Granti është 30,8 milionë euro, ndërsa kredia është 167,6 milionë euro. Trajanovski bëri të ditur se punimet do të fillojnë në muajin gusht të këtij viti, ndërsa periudha e ndërtimit do të zgjasë 4 vjet.
“Prandaj, projekti parashikon 5 tunele me dy gypa, me gjatësi totale prej rreth 5 kilometrash, 9 ura me një gjatësi prej 2,5 kilometrash, 11 mbikalime, 4 galeri për stabilizimin e pjerrësisë, secila me gjatësi 1 kilometër, si dhe 9 mure mbajtëse, të cilat gjithashtu janë për stabilizimin e pjerrësisë. Presim që ndërtimi të fillojë në gusht të këtij viti”, tha Koce Trajanovski, drejtor i Ndërrmarjes Publike “Rrugët Shtetërore”.
“Është projekt i shkëlqyeshëm për vendin, sepse e përmirëson lidhjen rajonale sidomos me Kosovën, por e mbështet edhe rritjen ekonomike dhe kjo është e rëndësishme për krijimin e vendeve të punës”, deklaroi Fatih Turkmenoglu, drejtor I BERZH-it.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ky projekt me vite ka qenë vetëm premtim, ndërsa tani po realizohet.
“Në vend të premtimeve të reja, kemi siguruar financimin, kemi nënshkruar kontratat, kemi zgjedhur kontraktorin dhe realizimi ka filluar. Pres që, nëse gjithçka shkon siç duhet, me Zotit para, këtë ose muajin tjetër, Koce, të fillojmë aktivitetet në terren dhe t’i përfundojmë”, pohoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ministri i transportit Aleksandar Nikolloski, theksoi se autostrada Shkup–Bllacë është pjesë e Korridorit Trans-Evropian 6 dhe do të lidhë Maqedoninë me Kosovën, portet e Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Është vërtet e mrekullueshme kur fillojnë projekte të reja dhe sot jemi në fillim të një projekti të ri, i cili është ndërtimi i një zgjidhjeje autostrade që duhet të shkojë përgjatë Rrugës Trans-Evropiane 6, e cila do të lidhë Shkupin dhe Prishtinën, dhe pastaj do të vazhdojë deri në Tiranë dhe Durres, si dhe në Tivar”, theksoi Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit .
Euroambasadori Mihalis Rokas këtë projekt e konsideron të rëndësishëm pasi Maqedonia e Veriut lidhet në rrjetin europian të transportit si dhe e lidh Ballkanin Perëndimor me BE-në.
“Jemi krenar që kemi 41 milionë euro grante që përfshijnë 37 milionë për ndërtim dhe mbikëqyrje dhe bashkë me kredinë e BERZH-it, ky investim nga mbi 235 milionë euro është një nga projektet më të rëndësishme për transportin e vendit”, deklaroi Mihalis Rokas, euroambasador.
Ndryshe gjatësia e kësaj autostrade është 10,5 kilometra. Më parë janë ndërtuar 2 kilometra, kështu që gjatësia totale nga nyja Stenkovec pranë Shkupit deri te kufiri është 12 kilometra. Këto 10,5 kilometra, do të kenë në të dy drejtimet nga dy korsi me gjerësi 3,5 metra dhe një shirit anësor prej 2,5 metrash. Gjerësia totale e rrugës do të jetë 27 metra.
