Finlanda anëtarja më e re e NATO-s/ “Përfundoi epoka e mosrreshtimit ushtarak, një erë e re po fillon”

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut nuk është më anëtarja më e re e NATO-s. Është Finlanda, e cila u bë vendi i 31-të anëtar i Aleancës Veri-Atlantike. Me ceremoni zyrtare flamuri i këtij vendi nordik u ngrit para selisë së NATO-s në Bruksel.

“Epoka e mosrreshtimit ushtarak në historinë tonë ka ardhur në fund. Një erë e re po fillon. (6,32) anëtarësimi i Finlandës nuk është shënjestër ndaj askujt e as nuk i ndryshon themelet ose objektivat e politikave të jashtme dhe të sigurisë së Finlandës.”- deklaroi Sauli Niinistö, Presidenti i Finlandës.

“Kur e panë se presidenti Putin jo vetëm që e kërcënoi Ukrainën, por e kërcënoi çdo komb në Europë që dëshironte të merrte vendimet e veta për t’iu bashkuar NATO-s ose jo, atëherë Finlanda vendosi t’i bashkohet Aleancës. NATO-ja bëhet më e fortë, Finlanda më e sigurtë me pjesëmarrjen në Aleancë ku e garantojmë sigurinë e të gjithë Aleatëve. Qëllimet e NATO-s nuk janë që të provokojnë konflikt, por ta parandalojë konfliktin dhe çdo keqkuptim ose keqkalkulim është i rrezikshëm.”- deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.

Sekretari Gjeneral Jens Stoltenberg zotohet se do të vazhdohet të punohet fort edhe për anëtarësimin e Suedisë, protokollin e së cilës ende nuk po e ratifikojnë Turqia dhe Hungaria.

“Është ditë e madhe ta kemi Finlandën anëtare por do të sigurohemi që edhe Suedia do të bëhet anëtare e plotë. Duhet të rikujtojmë se të gjithë aleatët janë pajtuar për t’i ftuar dhe të gjithë e kanë nënshkruar protokollin e aderimit, por ajo që ka të bëjë me Suedinë është ratifikimi në 2 parlamente. Jam i bindur se kjo do të ndodhë.”- tha Jens Stoltenberg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.

E deri sa vazhdojnë përpjekjet për një Aleancë më të madhe dhe unitet më të fuqishëm mes vendeve aleate, anash nuk është lënë as Ukraina, e cila vazhdon ta ketë mbështetjen ekonomike-financiare, por mbi të gjitha atë ushtarake, për t’i bërë ballë agresionit rus. Ministri i Jashtëm ukrainas Dimitro Kuleba u prit në NATO, ku u mbajt edhe Komisioni NATO-Ukrainë. Ripërsëriti se vendi i tij synon anëtarësimin në NATO.

“NATO-ja dhe Ukraina i duhen njëra-tjetrës. Kjo është e thjeshtë. E vlerësojmë mbështetjen praktike që e marrim nga Aleanca, por nuk ka zgjidhje më të mirë strategjike për ta vendosur sigurinë strategjike në rajonin euro-atlantik se sa anëtarësimi i Ukrainës në Aleancë.”- tha Dimitri Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës.

Në këtë takim të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare dhe aleate të NATO-s do të flitet edhe për sifida të sigurisë që kanë të bëjnë me Lindjen e mesme dhe Afrikën veriore. Takime do të ketë edhe me partnerët e Azisë dhe Pacifikut, siç janë Zenlanda e Re, Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut, kjo në një kohë kur shihet se gjithnjë e më shumë Rusia dhe Kina po afrohen dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Besir Arifi, TV21, Bruksel.