Semimaturantët janë duke u regjistruar në shkolla të mesme. Edhe pse protokolli parasheh që dokumentet e aplikimit të zbriten nga ueb faqja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, disa prej tyre i mbushnin në oborrin e saj.
TV21: A po ke vështirësi?
Nxënëse: “jo, lehtë është”
Hamendje kishte shkaktuar edhe rregulli i cili thotë se studentët që u fillon mbiemri me shkronjat A, B, C, Ç, D, Dh, E dhe F, dokumentet duhet t’i dorëzojnë sot, kurse ata me mbiemër pas këtyre shkronjave, vazhdojnë në ditët tjera.
Për këtë disa nxënës që kishin ardhur në shkollën “Pançe Karagjozov”, ktheheshin mbrapa. Me këtë problematikë ishin njoftuar edhe udhëheqësia e shkollës, të cilët thanë se kur nxënësit ishin të qyteteve tjera, i dërgonin në hyrjen tjetër.
“Fëmijët e paraleles shqipe janë në anën tjetër, aty ka profesorë të dy paraleleve. Janë ndarë nga paralelet maqedonase, në mes kemi fëmijë që vijnë nga qytetet tjera. Do të thotë kemi nga Kumanova, nga Velesi… Kemi 13 komisione, në çdo komision kemi nga 6 anëtarë, për pranim të dokumenteve. Çdo renditje e shkronjave ka nga dy orë. Nëse ka më shumë me një mbiemër me një shkronjë, mund të shkojë edhe në katër orë,” tha Nina Knags, profesor në “Pançe Karagjozov”.
Edhe pse regjistrimi ishte paksa i komplikuar për nxënësit, sepse nuk dinin si të silleshin, sërish vlerësonin se masat janë të duhura.
Dezinfektues dhe maska po mbaheshin edhe në shkollën “Marija Kiri Skllodovsk”. Këtu dokumentet dorëzoheshin në oborrin e shkollës, ku profesorët qëndronin në banka me maska.
Krahas regjistrimit, epidemia me virusin korona ka ndryshuar edhe mënyrën e aktiviteteve promovuese të shkollave të mesme. Por kjo nuk ka ndikuar në uljen e interesimit të nxënësve, pasi siç sqaroi drejtori Blerim Nebiu, provimimi ishte bërë në rrjete sociale.
“Sa i përket interesimit të nxënësve, është e vërtetë se këtë vit shkollor është organizuar katër ditë afati i regjistrimit, mirëpo që në ditën e parë numri i të interesuarve është shumë i lartë. Kryesisht në drejtimin mjekësor – laborant medicinal dhe në drejtimin arsimor optikë dhe në drejtimin laborant – kimik,” tha Blerim Nebiu, drejtor i “Marija Kiri Skllodovska”.
Nëse nxënësit që do të aplikojnë kanë më shumë se 70 pikë, ndërkaq janë më shumë se sa numri i paraleleve aktive, atëherë nuk përjashtohet edhe mbajtja e provimit pranues. Por se si do të zhvillohet provimi pranues, ende nuk dihet, pasi fillimisht pritet të shihen rezultatet. Megjithatë siç deklaruan nga “Pançe Karagjozov” dhe “Marija Kiri Skllodovska” ajo do të jetë me prani fizike dhe me respektim të të gjitha protokolleve, siç janë mbajtja e maskave dhe respektimi i distancës.