Në Kumanovë, tetori fillon me ditë të hareshme. Për tri javë rresht, adhuruesit e teatrit kanë rastin t’i ndjekin komeditë që do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar “Ditët e Komedisë”, të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Trajko Prokopiev”.
Që nga nata e parë vërehet interesimi i publikut kumanovar, që ka mbushur përplot teatrin. Mbrëmjen solemne e hapi me një fjalim ministrja e kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, duke thënë se ky festival është në ngritje. “Vetë prezenca e numrit të madh të publikut, të cilin po e shihni në hapjen solemne, tregon se ky festival ka traditë të madhe nga ana e qytetarëve të Kumanovës. Dhe, më të vërtetë, njerëzit duan të largohen nga përditshmëria dhe të vijnë këtu të qeshin me komeditë. Dua t’u uroj suksese në ditët e ardhshme. Ne si Ministri e Kulturës i ofrojmë përkrahje të fuqishme festivalit. Shpresoj se këto ditë, sa zgjat festivali i komedisë, publiku do të mirëpresë të gjitha këto shfaqje, ku do të ketë repertor të pasur”, vlerësoi ajo.
Drejtori i Shtëpisë së Kulturës së Kumanovë, Robert Pavllovski, që ka organizuar këtë festival, vlerëson se është bërë një punë e madhe për t’i sjellë gjitha ato shfaqje nga vende të ndryshme. Por, sipas tij, ia vlen, meqë interesimi i publikut është jashtëzakonisht i lartë. “Jemi të kënaqur, si kanë rrjedhur përgatitjet dhe se si u prezantua shfaqja e parë sonte. Mund të them se këtë vit kemi numër rekord të shfaqjeve, që janë gjithsej 15. Për disa shfaqje tanimë janë shitur biletat. Ky festival tradicionalisht po rritet në një festival të madh të komedisë dhe do të vazhdojmë kështu në vitet e ardhshme”, theksoi Pavllovski.
Mbrëmjen e parë ky festival e filloi me shfaqjen ‘’Diçka kemi humbur’’ të performuar në skenë nga aktorët e Teatrit të Komedisë nga Shkupi. Pas shfaqjes, regjisori i kësaj komedie, Bojan Trifunovski, shprehet i lumtur se kanë arritur t’ia transmetojnë mesazhin publikut. “Mendoj se publiku kumanovar arriti të kuptojë shfaqjen, ku më tepër fliste heshtja se sa humori, dhe, ashtu siç ne donim, që suksesin e shfaqjes mos ta matim me kuantitetin e duartrokitjeve ose qeshjeve kolektive. Kështu që jam mjaft i kënaqur me pjesëmarrjen e sotshme”, tha Trifunovski.
Këtë vit do të shfaqen gjithsej 15 komedi, prej të cilave 11 shfaqje janë nga teatrot e Maqedonisë. Ndër to, shfaqet trupa e aktorëve shqiptarë nga Teatri i Kumanovës me komedinë e tyre ‘’Bouncers’’ në regji të Qazmedin Nuredinit. Në mesin e 4 shfaqjeve të tjera që prezantohen nga rajonit, me komedinë ‘’Çehovi i thotë lamtumirë Tolstoit’’ me regji të Sevdije Ajetit, do të performojnë aktorët nga Prishtina.
Përgatiti: Adnan Qaili
