Sot fillon një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon – Sunny Hill Festival 2025. Nga data 1 deri më 3 gusht, festivali do ta shndërrojë Prishtinën në një qendër rajonale kur bëhet fjalë për festivale dhe performanca të yjeve muzikore botërore.
Dita e parë, 1 gusht, do të shënohet nga performanca e superyllit global Dua Lipa, e cila rikthehet në skenë në vendlindjen e saj me një performancë ekskluzive në Sunny Hill Stage. Së bashku me të, publiku do të ketë mundësi të ndjekë edhe artistët Edis, Tayna, Kida, Cil, Deezy, si dhe shumë emra të tjerë. Programi i natës së parë vazhdon në C4 Stage, ku do të performojnë Fatboy Slim, Skream, Bookie dhe Edgar Kerri.
Më 2 gusht, ylli kryesor i mbrëmjes do të jetë këngëtari me famë botërore Shawn Mendes, i cili do të performojë në skenën kryesore së bashku me Era Istrefi, Ledri, Headie One, Sainte dhe artistë të tjerë. Mbrëmja do të vazhdojë me sete elektronike nga Mochakk, Sugar Rush dhe të tjerë në C4 Stage.
Festivali do të përmbyllet më 3 gusht me performancat e Anyma dhe Peggy Gou, të cilat do të mbyllin këtë edicion me një përjetim të jashtëzakonshëm vizual dhe muzikor nën qiellin e hapur. Në program janë gjithashtu edhe Bess, Edgar Kerri, TSHA, Adrian Berisha, Mygal dhe artistë të tjerë që do ta sjellin energjinë elektronike deri në fund.
Edicioni i sivjetshëm i Sunny Hill Festival do të ofrojë një program të pasur nga mesdita deri në orët e para të mëngjesit. Festivali ndodhet vetëm një orë larg nga Shkupi, duke e bërë lehtësisht të qasshëm për publikun nga Maqedonia e Veriut.
Biletat janë të disponueshme përmes faqes zyrtare të internetit ose në Info Point-in në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë. Për më shumë informacion, vizitoni faqen www.sunnyhillfestival.com ose profilin zyrtar të festivalit në Instagram.
