Fillon gjysmëvjetori i dytë/ Nxënësit ende përballen me mungesën e librave

TË FUNDIT

Filloi gjysmëvjetori i dytë i shkollave fillore dhe të mesme.
Nxënësit të lumtur që po kthehen në bankat shkollore, por problemi me mungesën e librave ende nuk është zgjidhur. Ata shprehen se mundohen të gjejnë zgjidhje përmes internetit në disa lëndë si dhe nga shënimet që ua japim mësimdhënësit.

Unë quhem Rejhan Sefa, jam viti i 3 dhe mësoj si “Teknikë-farmacautike”.
Si filloi për juve gjysmëvjetori i dytë shkollor?
Gjysmëvjetori filloi në mënyrë shumë të duhur, jemi të kënaqur që jemi rikthyer në bankat tona shkollore me gjitha kushtet e plotësuara.
Libra a keni?
Kemi, por ka edhe mungesë të librave të cilat shkolla jonë na ka premtuar se deri në fund të vitit do të na furnizojë.
Çfarë libra konkretisht mungojnë?
Gjuha maqedone, gjuhë shqipe dhe disa libra të tjerë të cilët janë adekuat për drejtimin tonë.

Jam viti i 3 në drejtim profesional Teknik-Juridik, ku sot edhe filluam gjysmëvjetorin e dytë me shpresë që do të jetë i mbarë për neve.
Mungesë të librave a keni?
Mungesë të librave kemi pasur por jo shumë, vetëm në ato lëndë ku kanë qenë të reja këtë vit, dhe në një farë forme kanë qenë më profesionale.
Konkretisht në çfarë lëndë nuk keni libra?
Për shkak se unë jam drejtimi teknik juridik, kam pasur lëndën e drejtësisë si e drejtë penale dhe nuk kemi libra, por me anën e profesorëve ose nëpërmjet internetit, e kemi zëvendësuar atë hapësirë duke na ndihmuar edhe profesorët.

Sakip Axhami, Drejtor i shkollës së mesme Cvetan Dimov, thotë se mungesa e librave në disa lëndë vjen si shkak i planprogramit të ri, pasi siç u shpreh kjo shkollë është profesionale.
Konkretisht çfarë libra mungojnë?
Librat të cilat mungojnë janë të gjuhës shqipe, gjuhës maqedone dhe disa pjesë tjera.
A keni bërë kërkesë deri te Ministria e Arsimit?
Kërkesë nga ana jonë si shkollë kemi bërë çdoherë, por tani presim që nga Ministria të reagojnë në këtë drejtim.
Nxënësit si i kanë zhvilluar orët mësimore pa tekstet shkollore?
Nxënësit shumicën e njësive mësimore i kanë duke marrë shënime nga profesorët, nga librat të cilët i disponojnë ato dhe kanë realizuar mësimin.

Nga MASH për TV21 thonë se në vitin 2023 tekstet shkollore do të shpërndahen për gjitha klasat.

“Dy tekste shkollore për klasën 2 që nuk kanë kaluar me kohë procedurat e aprovimit nga Komisioni nacional për tekste shkollore do të shpërndahen deri në fillim të javës tjetër. Poashtu gjithë tekstet shkollore të klasave tjera janë shpërndarë para fillimit të vitit shkollor në shtator. Në 2023 gjithë tekstet shkollore për gjitha klasat, duke përfshirë edhe një pjesë të madhe të teksteve të arsimit të mesëm do të shpërndahen para fillimit të vitit të ri shkollor dhe e njëjta vlen edhe për tekstet e gjuhëve të huaja, për çka MASH veçmë po nis procedurat.”, thonë nga MASH.

Megjithatë tekstet shkollore për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore nga MASH ishin premtuar që do jenë gati deri në Tetor të vitit të kaluar.