Ministri i drejtësisë, Igor Fillkov, pret propozime të reja nga LSDM-ja për personat që do të marrin pjesë në grupin e punës për gjyqësor, që javën e kaluar e dakorduan kryeministri Hristijan Mickoski dhe opozitari Venko Filipçe. Për përshpejtimin e ligjeve në gjyqësor në lidhje me agjendën reformuese, nga LSDM në grup i kanë propozuar Ana Çupeskën dhe Ana Mihajllovska Stratillati.
“Ata dy emra që i përmendën ishin pjesë e grupit në vitin 2023 që i përgatiti ndryshimet kushtetuese, andaj shpresoj se do të kenë qasje më serioze dhe do të japin propozim të ri”, tha Igor Fillkov.
Vonesa me ligjet nga agjenda reformuese u aktualizua pasi edhe deputeti nga VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski e akuzoi Fillkovin për rezultate të dobëta, dhe tani ministri tregon se kur do të gjendet para deputetëve ligji i parë.
“Deri në fund të muajit”, dekalroi Fillkov.
Agjenda reformuese ishte tema e bisedës mes Fillkovit dhe homologut të tij nga Mali i Zi, Bojan Bozhoviq i cili paralajmëroi se Mali i Zi do të na ndihmojë gjatë negociatave për anëtarësim.
“Plani është që Mali i Zi të hyjë në BE në 2028 dhe plani për mbylljen e kapitujve negociuese deri në fund të 2026 është harmonizuar edhe me Komisionin Europian”, tha Bojan Bozhoviq.
Kryeministri Mickoski kohë më parë theksoi se pret konstruktivitet për agjendën reformuese nga të gjitha partitë parlamentare duke thënë se është i gatshëm për t’u takuar me të gjithë liderët e partive që janë të interesuar për këtë.
