Analizat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se virusi korona kulmin e ka arritur para një jave, ndërsa numri i rasteve pozitive po stabilizohet dhe ka një rënie shumë të lehtë të të infektuarve.
Nga të gjitha rastet aktive, 6.7 % janë të shtrirë dhe trajtohen nëpër spitale, por sipas Ministrit Venko Filipçe gëzon numri i të shëruarve nga Covid-19.
“Ajo që na gëzon është se po rritet numri i të shëruarve. Në periudhën e fundit kemi vërejtur numra të mëdhenj të të shëruarve në kushte shtëpiake dhe nëpër spitale. Konkretisht javën e kaluar përqindja e të shëruarve në krahasim me javën paraprake është rritur për 45%. Trendi i të shëruarve po zmadhohet edhe gjatë kësaj jave. Mesatarja e të hospitalizuarve në dy javët e fundit është 1280 pacientë, ndërsa përqindja e të hospitalizuarve nga numri i përgjithshëm i të infektuarve është 6.7, apo afërsisht rreth 7%”, vlerësoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Edhe përkundër faktit që janë lëshuar disa reparte në shërbim të pacientëve pozitiv, lideri i VMRO-DPMNE-së deklaron se nuk ka shtretër të lirë. Mickoski thekson se nuk ka as oksigjen dhe se nuk ka barriera mes pacientëve të vdekur dhe atyre që janë duke u mjekuar nëpër spitale.
“Përgjigja më e thjeshtë për këtë është kjo, nuk ka shtretër njerëz, shtretër nuk ka, nuk ka as oksigjen. Shikoni se çfarë po ndodh në spitalin e Manastirit, nuk ka përgjegjësi. Nuk ka barriera ndërmjet pacientëve të vdekur dhe atyre që janë duke marrë infuzion, nuk ka barrierë një gjë elementare dhe askush nuk mban përgjegjësi”, pohoi Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Deklaratën e Mickoskit e hodhi poshtë Fillipçe.
“Nuk është e vërtetë se nuk ka shtretër të lirë dhe nuk është e vërtetë se nuk ka oksigjen. Praktikisht të gjithë shtretërit e repartit të otorinolaringologjisë janë të pajisur me oksigjen, aty ku nuk ka, ka koncentratorë të oksigjenit. Çdo pacientë që ka nevojë për oksigjen e ka në dispozicion”, deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Filipçe theksoi se pozitive janë edhe lajmet të cilat vijnë lidhur me vaksinat. Sipas tij vitin e ardhshëm me blerjen e vaksinës e cila është pothuajse se kah fundi, situata me pandeminë do të përmirësohet dukshëm. Nuk ka nevojë për orë policore, sepse masat aktuale anti-Covid po japin rezultatet e pritura vlerëson Ministri i Shëndetësisë.
