Akuzat e opozitares VMRO-DPMNE – se Qendra Klinike e cila planifikohet të ndërtohet është katër herë më e shtrenjtë se ajo në Serbi, nuk kanë baza, thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Të dy objektet nuk mund të krahasohen pasi spitali në Serbi tashmë është ndërtuar dhe vetëm duhet të rinovohet, kurse ne jemi duke ndërtuar një objekt tërësisht të ri, thotë Filipçe.
“Autoritetet në Serbi tani morën vendim që ta rinovojnë dhe ta pajisin. Nuk bëhet fjalë as për ndërtim të ri, as për një kapacitet të njëjtë të cilin e planifikojmë ne. Ata flasin për kopalla, nuk mund të krahasohen këto dy gjëra”, deklaroi Filipçe.
Mickoski nuk tërhiqet nga qëndrimi se Qendra Klinike është shumë më e shtrenjtë se ajo e Serbisë, duke pohuar se do ta bllokojë ndërtimin e saj.
“Ky është paravan për të vjedhur gjysmë miliardë nga qytetarët e Maqedonisë, gjë të cilën, kuptohet se unë si kryetar i VMRO-DPMNE-së nuk do ta lejoj. Ka shumë dallim, ja gjysmë miliardë nga projekti dhe ato 125. 400 milionë më pak në Serbi”, shtoi Mickoski.
Filipçe porositi Mickoskin se është jokorrekte nga ana e tij që ta shfrytëzojë mundësinë që e ka dhe në Parlament ta bllokojë ligjin për ndërtimin e Qendrës Klinike, prandaj e thirr në debat. Mickoski e pranon ftesën.
“Unë apelova edhe atëherë, edhe tani që VMRO-DPMNE-ja të pranojë të debatojë dhe publikisht t’i përfshijmë të gjithë aktorët në këtë proces. Mendoj se duhet të inkurajohen përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, gjithashtu edhe Mickoski të dalim dhe bashkërisht të debatojmë, t’i shpalosim argumentet tona, sepse ne jemi të bindur se kjo është zgjidhja e vetme e përhershme”, tha Filipçe.
“Mendoj se tema rreth Ligjit për ndryshim të Ligjit për Furnizime Publike është në Parlament, dhe nëse Zoran Zaevi dëshiron të debatojë, unë dje i dërgova ftesë publike, dhe ja tani do ta përsëris – të dalim së bashku, le ta zgjedhë ai kohën dhe vendin. Le të debatojmë për të gjitha çështjet e hapura”, tha Mickoski.
VMRO-DPMNE, parti e cila nuk pajtohet me mënyrën e ndërtimit të Qendrës së re Klinike, e bllokoi ligjin në Kuvend me rreth 2 mijë amendamente.
