Maqedonia e Veriut është lider në rajon për numrin e qytetarëve të cilët janë vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës gjatë një muaji e gjysmë, vlerësojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga atje thonë se sipas të dhënave të fundit, gjatë periudhës prej 5 korrikut deri më 24 gusht, numri i së paku një doze të aplikuar në 100 banorë është rritur për 14%, që është rritja më e lartë nëse krahasohet me shtetet e rajonit. Kjo sipas MSh-së tregon rritje të interesit për vaksinim.
“Gjatë periudhës së njëjtë, menjëherë pas Maqedonisë së Veriut gjenden Kosova me 10.64%, Shqipëria dhe Greqia me 8.61% dhe Mali i Zi me 8.04% rritje të përqindjes së personave të vaksinuar me së paku një dozë”, thanë nga MSh-ja.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaron se rritje e interesimit për tu vaksinuar vjen si rezultat i masave që i ka sjell Qeveria.
“Falë këtyre masave në 10-14 ditët e fundit vaksinimi në tetovë nga 23 është rritur në 35% dhe sinqerisht mendoj se trendet do të vazhdojnë, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo është mënyra e vetme që të arrihet imuniteti kolektiv dhe të mundemi të funksionojmë normal, të mund të shkojnë fëmijët në shkollë dhe të gjitha proceset tjera jetësore të kthehen në normalitet”, deklaroi Filipçe.
Edhe me mbi një mijë raste të të infektuarve në nivel ditor dhe intensitetin e vaksinimit, mikrobiologu Nikolla Panovski vlerëson se nuk është arritur piku i valës së katër. Profesori vlerëson se kulmi i kësaj vale do të vijë me ftohjen e motit, kur të ketë grumbullime edhe më të shumta në të mbyllur.
“Për fat të keq mendoj se piku nuk është arritur, numrat do të rriten, ndoshta për pak kohë do të qëndrojnë kështu, mirëpo kur të hapen shkollat dhe të ftohet moti do të rriten shifrat. Do të shkojnë deri në dy mijë raste në ditë, ka më shumë se sa vitin e kaluar. Shpresoj që të mos ketë shumë të vdekur”, tha Panovski.
Raporti i tre javëve të fundit tregon se nga rastet pozitive vetëm 17% janë persona të vaksinuar. Përndryshe në vendin tonë me dy doza janë vaksinuar rreth 520 mijë qytetarë. E sipas përllogaritjeve të Ministrit Filipçe, dy muajsh do të imunizohet rreth 70% e popullsisë.
