LSDM i ka dërguar letra Bashkimit Evropian dhe ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski në Prokurori. Reagimi vjen pas deklaratës së kryeministrit se ka ndjesi që së shpejti ish-funksionarë të lartë të qeverisë së mëparshme të LSDM do të përfshihen në ndjekje penale. LSDM kërkon që Prokuroria menjëherë ta thërrasë në pyetje dhe t’i shqyrtojë ndjenjat e tij, për të dëshmuar se nuk punon vetëm sipas “porosive” të Mickoskit.
“Mickoski publikisht paralajmëron ndjekje penale. Ai targeton njerëz konkretë nga opozita dhe familjet e tyre, me akuza të parapërgatitura. ‘Kam ndjesi’ e tij udhëhiqet nga frika sepse e di se do të përballet me përgjegjësi. Ky është skandal i përmasave të papara dhe përfaqëson rrënim të plotë të rendit juridik dhe kushtetues. Për këtë duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Aleksandar Sasha Dimitrieviq nga LSDM.
Ndërkohë, Filipçe i ka dërguar letra zyrtare Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, raportuesit për Maqedoninë dhe ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Në letër, ndër të tjera thuhet se Mickoski paralajmëron ndjekje politike dhe se kjo deklaratë për hakmarrje politike përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për pluralizmin demokratik.
Kryeministri sot tha se ndjenjat e tij janë edhe më të forta se do të ketë ndjekje ndaj ish-funksionarëve të qeverisë së kaluar të LSDM-së.
“Secili ka të drejtë të shkruajë dhe të dërgojë letra. Por ndjenjat e mia janë gjithnjë e më të forta”, u shpreh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Për cilët ish-funksionarë të LSDM-së dhe për çfarë procesesh gjyqësore flet kryeministri, nuk ka informacione. Edhe vetë ai thotë se nuk ka informacione, por vetëm ndjesi.
