Filipçe e paraqiti Rezolutën, vijat e kuqe janë gjuha dhe identiteti, për to nuk negociohet

TË FUNDIT

Nevojitet angazhim i menjëhershëm dhe përkushtim i plotë i Qeverisë për vazhdimin e proceseve eurointegruese, sepse shohim se në këtë fushë nuk punohet dhe asgjë nuk realizohet nga agjenda reformuese. Këtë e theksoi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, duke prezantuar Rezolutën për përcaktimin e pozicioneve kombëtare të vendit në lidhje me integrimet në Bashkimin Evropian. Ai tha se me këtë dokument do të vendoseshin së bashku të gjitha pozicionet shtetërore dhe kombëtare. Po cilat janë vijat e kuqe që Filipçe i paralajmëroi në Rezolutë?

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha institucionet shtetërore në mënyrë konsekuente i përmbahen përcaktimit për respektimin pa kushte të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas si elemente për të cilat nuk negociohet me Bashkimin Evropian. Dhe këto janë vijat tona të kuqe. Që Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të përmbushë detyrimet nga korniza negociuese me BE, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese me përcaktim të qartë se ajo është pengesa e fundit, pa pranuar kërkesa të reja ose çështje të karakterit identitar dypalësh”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Kreu socialdemokrat pret që partitë të mos e keqpërdorin këtë dokument për qëllime personale, sidomos në periudhën parazgjedhore, ndërsa pas zgjedhjeve të merren vesh që ta votojnë dokumentin. Ai vendosi edhe një kornizë kohore që Qeveria nga 15 deri më 25 nëntor të deklarohet nëse mbetet në të njëjtin tekst të amendamenteve të ndryshimeve kushtetuese, deri më 15 dhjetor Kuvendi të fillojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës me votim deri më 10 shkurt. Por cilat janë pritjet nëse dihet se kryeministri Mickoski mbetet në qëndrimin për ndryshime kushtetuese pas përfundimit të negociatave?

“Ne pamë që kjo nuk është e pranueshme. Institucionet evropiane këtë ia thanë qartë Qeverisë, nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë, edhe pse ne në fillim thamë që nëse Qeveria do të arrinte të luftonte për një pozicion të tillë, dhe ajo ka qenë diçka që edhe qeveria e mëparshme e LSDM-së është përpjekur ta marrë dhe nuk ka arritur, ne do ta përkrahim”,u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Kryeministri Mickoski edhe dje, e edhe më parë, deklaroi se me padurim pret ta shohë rezolutën që e propozon Filipçe, e pastaj do të shprehet.