Virusi korona nuk ka vdekur e as është larguar, derisa kemi këso njerëz që injorojnë virusin, problemi me Kovid-19 do të vazhdojë, kështu e ka demantuar ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe kreun e Bashkësisë Fetare Islame, reisin Sulejman Rexhepin i cili e shpalli të vdekur virusin korona.
“Virusi korona as nuk ka vdekur e as është larguar. Ai është këtu për fat të keq, problemi do të vazhdohet derisa kemi të tillë që na injorojnë. Shumë herë kam përsëritur, por ja edhe njëherë do ta përsëris. Punëtorët shëndetësor nuk mund t’ia dalin të vetëm. Masat janë të mira dhe në kohë, por ato funksionojnë nëse respektohen, në të kundërtën nuk kanë efekt”, tha ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.
Filipçe ka shprehur shqetësimin edhe për qytetarët të cilët gjatë ditës së djeshme nuk respektuan rekomandimet, u tubuan në xhami dhe kisha, pa maska dhe pa mbajtur distancë. Por a do ta rrisin numrin e të infektuarve tubimet e djeshme, do të të mësohet pas 10 ditësh, deklaroi në një prononcim për TV21, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti.
“Ne do të kemi rritje të numrit, nëse qytetarët nuk do të kenë kujdes. Efektin do ta kemi pas 10 ditësh apo dy javëve”, tha drejtori i ISHP-së Shaban Memeti.
Memeti madje vlerëson se për shkak të këtyre tubimeve dhe të tjerave që kanë ndodhur kohës së fundit, ka ardhur deri te rritja e të infektuarve me Kovid-19.
“Pavarësisht rekomandimeve nga institucionet shëndetësore, për respektim të rekomandimeve që i kemi dhënë në vazhdimësi për kujdes, që janë distanca sociale, përdorimi i maskave, dezinfektimi i duarve…. një pjesë e madhe e qytetarëve nuk i respektuan këto rregulla dhe këto kanë rezultuar me teste pozitive për Kovid-19”, tha drejtori i ISHP-së Shaban Memeti.
Shkelje të këtyre masave kemi parë edhe gjatë tubimit në Strugë. Pas dy javësh, Struga dje shënoi 4 raste të të infektuarve, kurse hetimi për rastin ende nuk ka përfunduar. Në Maqedoninë e Veriut po shënohet rritje lineare e numrit të të infektuarve, ku kryeson Shkupi dhe Tetova. Rritja nuk është karakteristikë edhe për vendet tjera. Në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë janë regjistruar zero raste të të infektuarve, edhe pse janë realizuar qindra testime.