Fidan beson se Irani është i hapur për bisedime të fshehta: Turqia nuk do të përfshite në këtë luftë!

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm i Turqisë tha të shtunën se nuk ka ndonjë iniciativë serioze për të rifilluar negociatat midis Donald Trump-it dhe Iranit përmes Shteteve të Bashkuara, por beson se Irani është i hapur për bisedime të fshehta.

Komentet e ministrit të Jashtëm Hakan Fidan për Associated Press erdhën në një intervistë ekskluzive ndërsa Ankaraja përpiqet të qëndrojë jashtë luftës në zgjerim e sipër në Lindjen e Mesme.

Ankaraja, e cila ka marrëdhënie të mira si me Uashingtonin ashtu edhe me Teheranin, kishte tentuar të ndërmjetësonte një zgjidhje mes tyre para se SHBA-ja dhe Izraeli të sulmonin Iranin dy javë më parë, duke shkaktuar luftën.

Kushtet nuk janë shumë të favorshme për diplomaci,” tha Fidan. Iranianët “ndihen të tradhtuar” sepse për herë të dytë janë sulmuar ndërsa ishin në negociata aktive me SHBA-në për programin e tyre bërthamor. Megjithatë ai shtoi: “Mendoj se ata janë të hapur për çdo diplomaci të arsyeshme në prapaskenë.”

Fidan, 57 vjeç, shërbeu për më shumë se një dekadë si shef i inteligjencës turke përpara se të emërohej ministër i jashtëm në vitin 2023.

Rol kyç në politikën e Lindjes së Mesme

Në këtë rol, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e politikës së Turqisë në Lindjen e Mesme, veçanërisht ndaj Sirisë, Irakut dhe Iranit. Ai konsiderohet një nga këshilltarët më të besuar të presidentit Rexhep Taip Erdogan dhe një nga kandidatët e mundshëm për ta pasuar atë.

Turqia ka mbajtur një pozicion neutral në luftë, duke kritikuar si sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ashtu edhe sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj shteteve të Gjirit që strehojnë baza amerikane. Fidan tha se ka tentuar t’i bindë iranianët të ndalin ato sulme.

Ai theksoi se prioriteti kryesor i Turqisë është të qëndrojë jashtë konfliktit, edhe pasi tre raketa që besohet se erdhën nga Irani u kapën mbi Turqi nga mbrojtja e NATO-s. Turqia është anëtare e NATO-s dhe një bazë ajrore në jug të vendit përdoret nga forcat e NATO-s, përfshirë trupat amerikane.

Zyrtarët iranianë kanë këmbëngulur se nuk kanë qëlluar drejt Turqisë, megjithëse të dhënat tregojnë se raketat erdhën nga Irani, tha ministri turk.

Ai përjashtoi një përgjigje ushtarake për momentin, duke thënë se mbrojtja e NATO-s ishte efektive dhe se objektivi kryesor i Ankarasë është të qëndrojë jashtë luftës.

E di që po provokohemi dhe do të provokohemi, por ky është objektivi ynë,” tha ai. “Ne duam të qëndrojmë jashtë kësaj lufte.”

Fidan, i cili ka kontakte të rregullta me zyrtarët iranianë, tha se nuk e di sa të rënda janë plagët e liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili u plagos në një sulm më herët gjatë luftës, por shtoi se “ajo që dimë është se ai është gjallë dhe po funksionon.”

Khamenei u emërua për të zëvendësuar babanë e tij, Ali Khamenei, i cili u vra më 28 shkurt gjatë fazës së parë të luftës.

Fidan tha se procesi i zgjedhjes së liderit të ri dhe gjendja e tij shëndetësore krijuan një boshllëk në strukturën e pushtetit në Iran, por sipas tij ky boshllëk është mbushur nga komanda e lartë e Gardës Revolucionare iraniane.

Një nismë paqeje që dështoi

Para konfliktit, Turqia u përpoq të shmangte luftën duke ofruar të organizonte bisedime në Istanbul që do të sillnin bashkë SHBA-në, Iranin dhe vende të tjera të rajonit.

Irani më pas zgjodhi bisedime të ndërmjetësuara nga Oman, pa pjesëmarrjen e vendeve të rajonit dhe të përqendruara vetëm te programi bërthamor — bisedime që përfundimisht dështuan.

Fidan tha se Irani kishte refuzuar të diskutonte programin e tij të raketave dhe grupet e armatosura që mbështet në rajon, përfshirë Hezbollah në Liban dhe milicitë irakiane, të cilat tashmë janë përfshirë në luftën rajonale.

Turqia kishte propozuar që amerikanët dhe iranianët të diskutonin plotësisht çështjen bërthamore, ndërsa vendet e rajonit do të diskutonin me Iranin për programin e raketave dhe grupet e armatosura, si pjesë e një iniciative për të ndërtuar besim në rajon.

Tensionet me Izraelin

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit janë të tensionuara, me Erdoganin që është bërë një nga kritikët më të fortë të veprimeve të Izraelit në Gaza. Turqia ka ndërprerë lidhjet tregtare me Izraelin dhe shpesh e akuzon atë për gjenocid.

Izraeli nga ana tjetër akuzon Turqinë për mbështetje ndaj Hamas, grupit militant palestinez që kreu sulmin vdekjeprurës më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit.

Që nga sulmet e Izraelit ndaj Iranit, disa kanë sugjeruar se Turqia mund të jetë objektivi i radhës. Fidan e hodhi poshtë këtë mundësi, por pranoi se lufta në Iran i ka dhënë Turqisë një shtysë më të madhe për të rritur prodhimin e armëve dhe mbrojtjes ajrore.

Për sa kohë që Netanyahu është në pushtet, Izraeli gjithmonë do të identifikojë dikë si armik,” tha ai, duke iu referuar kryeministrit Benjamin Netanyahu. “Nëse jo Turqinë, do të jetë ndonjë vend tjetër në rajon.”

Ai kritikoi gjithashtu rolin e Izraelit në Siri, ku të dy vendet kanë interesa strategjike.

Turqia ka mbështetur fort qeverinë aktuale në Damask të udhëhequr nga presidenti i përkohshëm Ahmad al‑Sharaa, ish-lider i një grupi rebel islamist.

Izraeli e sheh qeverinë e al-Sharaa-s me dyshim dhe, që nga ardhja e saj në pushtet në dhjetor 2024, forcat izraelite kanë marrë kontrollin e një pjese të territorit në jug të Sirisë dhe kanë kryer sulme ajrore mbi objektiva ushtarake siriane.

Ata nuk janë pas sigurisë, ata janë pas më shumë toke,” tha Fidan. “Për sa kohë që nuk heqin dorë nga kjo ide, do të ketë gjithmonë luftë në Lindjen e Mesme.”

Roli i Turqisë në Gazë

Turqia ka kërkuar gjithashtu të luajë një rol aktiv në Gazën pas luftës. Ajo i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, i cili është bojkotuar nga shumë vende që e shohin atë si një përpjekje për të zëvendësuar rolin e OKB-së dhe kritikojnë mungesën e përfaqësimit palestinez.

Turqia gjithashtu ka ofruar të dërgojë trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza.

Fidan tha se Turqia ende nuk ka marrë një kërkesë zyrtare për të kontribuar me trupa, gjë që ai e lidh me kundërshtimin e Izraelit. Megjithatë, sipas tij, amerikanët po përpiqen në mënyrë të qetë ta zgjidhin çështjen me Izraelin për të lejuar pjesëmarrjen e Turqisë.

Ai shtoi se prioriteti kryesor i Turqisë është krijimi i një komiteti administrativ për Gazën, i përbërë nga 15 administratorë palestinezë politikisht të pavarur.

Presim që ata të hyjnë në Gaza dhe të fillojnë punën,” tha ai. “Kjo ende nuk ka filluar, kështu që duhet të fillojmë nga diku.”