FFM kërkon nga UEFA dënim për Arnautoviç! Alioski: Nuk e kam dëgjuar çfarë ka thënë, pas ndeshjes kemi biseduar

TË FUNDIT

Pas golit të shënuar, sulmuesi i Austrisë kundër Maqedonisë Marko Arnautoviç gjatë festimit ofendoi sulmuesin e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut Ezgjan Alioski.

E kjo ka bërë që Federata e Futbollit të Maqedonisë të kërkojë nga UEFA që të dënojë sulmuesin Arnautoviç.

I pari i Federatës së Futbollit, Muhamed Sejdini për TV21 tha se është e pa tolerueshme dhe shumë e dënueshme nga UEFA fyerjet në baza racore, etnike e nacionale. Ai tha se deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga UEFA.

 “Ende nuk kemi përgjigje do të thotë që UEFA do t’i marrë të gjitha masat që janë sipas rregullores të disiplinës së UEFA-së, në raste se ka një gjë të tillë dihet që UEFA është shumë restriktive në ku nuk tolerohet fyerja në baza nacionale etnike apo racore kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Muhamet Sejdini – kryetar i FFM-së.

Ezgjan Alioski, sot në konferencë për media tha se nuk e kishte dëgjuar sulmuesin e Austrisë se çfarë i kishte thënë, por tha se pas ndeshjes kanë biseduar dhe i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit.

“Kemi pasur biseda gjatë zhvillimit të ndeshjes. Kjo nuk është e gabuar deri sa ndeshja zhvillohej. Pas ndeshjes kemi dhënë dorën njëri tjetrit. Problemi ishte kur ka dhënë golin thoshte diçka drejt mua. Nuk mund të them çfarë tha sepse nuk e kam dëgjuar. Ishte e vështirë ta dëgjoj. Kryesorja ishte që pas ndeshjes kemi biseduar. Tjetra varet nga UEFA dhe Federata, gjithçka mund të shihet në video”, u shpreh Ezgjan Alioski – futbollist i përfaqësueses.

Në rrjetet sociale futbollisti i kombëtares së Austrisë ka kërkuar falje, ai ka shkruar se kishte fjalë të nxehta për shkak të emocioneve të ndeshjes.

Ai gjithashtu ka kërkuar falje edhe në gjuhën shqipe.

Sipas mediave të huaja UEFA nuk ka në plan që të hapë hetim për futbollistin Arnautoviç.

Por pak më përpara nga UEFA kanë theksuar se do ta analizojnë sjelljen e futbollistit të kombëtares së Austrisë.