Arben Fetai në Click Plus njoftoi se pas shpalljes së zgjedhjeve lokale, nuk ka pasur aktivitete partiake, por diskutimet për unifikimin e koalicionit VLEN kanë qenë intensive që nga nëntori. Ai theksoi se një nga opsionet që po shqyrtohet është zgjedhja e një kryetari me rotacion. Sipas Fetait, janë hartuar disa dokumente që përcaktojnë parimet dhe rrugën drejt unifikimit të VLEN-it.
“Po shihni në këtë drejtim unë e thash për momentin prej shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk ka pasur aktivitete në kuadër të partive politike. Njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të jetë një kryetar i zgjedhur me rrotacion, ky është një nga opsionet që diskutohet, unë normal që i kamë mbledh strukturat e mia, funksionar kryesinë e kështu me radhë, dhe kemi diskutuat në vazhdimësi zhvillimet në kuadër të unifikimit të koalicionit VLEN. Në këtë drejtim dua të them që diskutimet kanë qenë goxha intensive nga nëntori e këndej dhe janë hartuar disa dokumente”, tha Arben Fetai – ASH/VLEN.
Fetai për çështjen e liderit tha se pasi të dakordohen premisat mund të bëhet edhe ajo zgjidhje. Sipas tij secili prej liderëve është më i mirë se tjetri.
“Këtu është çështje konsesualiteti për mua kjo është çështje që duhet të zgjidhet në fund kur do i dakordojmë të gjitha premisat tjera, unë nuk kamë preferenca për një lider edhe tjetrin është çështje që duhet të dakordohemi në tavolinë. Secili prej katërve është më i mirë se tjetri, dhe nuk e shoh aspak problematike zgjidhjen e ndonjërit. Thash janë katër lider secili më i mirë se tjetri”, theksoi Arben Fetai – ASH/VLEN.
Duke diskutuar rreth informacione se ka marrëveshje mes Mexhitit dhe Kasamit që këta dy do të udhëheqin me VLEN, Fetai tha se është spin i BDI për ta përçarë koalicionin.
Fetai përmendi edhe parimet bazë mbi të cilat është formuar VLEN-i dhe të cilat, sipas tij, duhet të ndiqen edhe më tej. Fetai mes tjerash tha se VLEN-i është ndërtuar mbi parimin e barazisë së katër subjekteve, ku secili ka nga një çerek të përfaqësimit.
