Fetai formalizon largimin nga Qeveria! Kryeministri Mickoski konfirmon largimin e tij, ASH me akuza për tradhti

TË FUNDIT

Pas shumë zërave se nuk shkon në punë, më në fund zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka formalizuar largimin e tij nga Qeveria duke i dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Hristijan Mickoski. Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër”, shkroi ai, duke lënë të kuptohet se pas dorëheqjes fshihen pakënaqësi dhe sfida që kanë shoqëruar punën e tij në ekzekutiv.

“Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues. Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze”, tha Arben Fetai.

Vetëm pak orë pas njoftimit të Arben Fetait për largimin nga posti i zëvendëskryeministrit ka reaguar ashpër Aleanca për Shqiptarët. Partia opozitare vlerëson se Fetai kishte marrë mbështetje të madhe politike dhe njerëzore, por në fund zgjodhi të largohej duke lënë pas zhgënjim te ata që besuan në të dhe në premtimet e tij.

“Arben Taravari është ai që e solli nga Brukseli Arben Fetain, i besoi atij, e mbështeti dhe i ofroi mundësinë të shërbente si ministër, me fuqi vendimmarrëse. Siç duket, Fetai këtë besim ia ktheu me tradhti, në vend të mirënjohjes, bashkëpunimit, kontributit brenda partisë, ai e preu në besë dhe i nguli thikë pas shpine me zgjedhjet e tij. Por një fjalë thotë kush tradhton do të tradhtohet edhe Fetai e përjetoi tradhtinë nga njerëz që ai vetë i konsideronte të besueshëm”, tha ASH.
Kryeministri Mickoski konfirmon përfundimisht largimin e Fetait nga ekzekutivi, ndërsa njëkohësisht paralajmëron edhe ndryshime më të gjera në përbërjen qeveritare gjatë muajit qershor, pa dhënë detaje.

“Zotëri Fetai deponoi dorëheqje, deri në fund të ditës do të shqyrtohet, nesër do të arkivohet, siç e dini në qershor na pret rikonstruim i Qeverisë, do të flasim me partnerët tanë të koalicionit në kuadër të Qeverisë”, deklaroi Mickoski.

Tashmë, me konfirmimin e dorëheqjes nga vetë kryeministri, vëmendja zhvendoset te rikonstruimi i paralajmëruar i Qeverisë dhe emri që do të zëvendësojë Fetain në kabinetin qeveritar.