Fërçkovski ambasador në OKB! Taravari: Skandal diplomatik, skenaristi i masakrës së Bit Pazarit

TË FUNDIT

Emërimin Lubomir Fërçkovskit  për ambasador në OKB,  opozitarja Aleanca për Shqiptarët e ka quajtur skandal diplomatik. Arben Taravari theksoi se Fërçkovski është person i padëshiruar nga SHBA, ndërsa për ministrin e jashtëm Bujar Osmani tha se është peng, dhe se ai e di mirë se peng i kujt është. 

“E para ka të bëjë me angazhimin politik dhe qasjen thellësisht antishqiptare të Fërçkovskit. Si ideolog i SDSM-së dhe ish ministër i policisë, ai ka zbatuar metoda përgjimi të njëjta me ato të Gruevskit dhe ka qenë skenaristi i masakrës së Bit Pazarit, i Aferës së Armëve dhe i shumë episodeve tjera të shtypjes së shqiptarëve, për të cilat kurrë nuk është përgjigjur. E dyta, si politikan i dështuar, Fërçkovski është shquar si albonofob dhe fashist ordiner. Gjatë luftës së 2001-shit, ai përhapte teza millosheviçiane dhe gjenocidale duke bërë thirrje për dëbim të shqiptarëve përtej Adriatikut. Viteve të fundit, ai i ka cilësuar publikisht shqiptarët si “pleme”, ndërsa deklaratën e partive politike shqiptare të 2017-ës e kishte cilësuar, po e citoj, më falni për shprehjen, si “platformë muti”. Dhe e treta, ndoshta më e rënda në rrafshin diplomatik, ka të bëjë me faktin se Fërçkovski është persona non-grata, apo i padëshirueshëm në SHBA, pra në vendin për ku është dekretuar, i cili është aleati jonë më i rëndësishëm”, tha Arben Taravari – ASH .