“Fëmijët i verbuan sytë me tabletë”, një pjesë e nxënësve të klasave të katërta i kanë fotokopjuar librat

TË FUNDIT

Vajza ime dhe unë i verbuam sytë duke mësuar përmes tabletit, thotë një prind që deshi të mbetet anonim. Ai shtonë se janë munduar një javë ta përdorin tabletin, por nuk kanë mundur më shumë dhe më pas i kanë fotokopjuar librat. Sipas tij kjo është mënyra më efikase për të mësuar fëmija i tij.

“Ajo tash mëson në mënyrë normale, i ka librat në shtëpi i merr edhe në shkollë. I bën detyrat e shtëpisë me libra. Me tabletin provuam në fillim të javës së parë, prej shkollës na i dërguan linqet dhe kjo është në rregull i kemi të gjitha. Por edhe unë edhe fëmija u verbëruam. Nuk është funksionale në asnjë mënyrë. Për ti ecur faqet 23, 24, 25 është shumë rëndë në kompjuter, e lëre më në tablet apo në telefon”, u shpreh prindi.

Ai shton se fëmijët janë të vegjël për tu kujdesur për tabletët dhe se vajza e tij veçmë ka thyer telefonin dy herë.

“Si prindër të fëmijëve të klasave të katërta mendojmë që kjo reformë me digjitalizim është e panevojshme në këtë mënyrë. Po si mjet ndihmës, por për të mësuar nuk është e mundur. Vetëm fëmija im ka thyer dy telefona prej pakujdesisë. Nëse edhe tabletin ja japë 4 herë duhet t’ia ndërrojë”.

Ndërkohë, kryetari i sindikatës së arsimit Jakim Nedellkov tha se edhe prindërit edhe fëmijët janë të hutuar, ndërsa mendon se librat nuk duhet hequr nga procesi arsimor.

“Fakt është që edhe prindërit edhe nxënësit janë të hutuar, flasim për klasat e katërta pasi digjitalizimi po zbatohet për këto klasa. Janë të hutuar pasi jo në çdo shkollë ka mundësi të zbatohet mësimi digjital, gjegjësisht mësim përmes mjeteve digjitale. Problemi më i madh është që në kushte shtëpie jo çdo fëmijë kanë kushte për të mësuar. Për këtë arsye mendoj që libra duhet të ketë. Librat askush nuk guxon t’i ndalojë të shfrytëzohen”, deklaroi Nedellkov.

Ministria e Arsimit vazhdon të këmbëngul se digjitalizimi është ardhmëria e gjeneratave të ardhshme. TV21 dje vizitoi shkollën 25 maji në Hasanbeg, aty nxënësit kishin fotokopjuar librat. Arsimtaret ishin optimistë që duhet kohë për tu adaptuar fëmijët, por pranuan se nxënësit e kanë të vështirë të mësojnë përmes tabletëve.

MARKETING I PAGUAR POLITIK