Fëmijët e xhihadistëve francezë nga kampet në Siri kthehen në shtëpi

TË FUNDIT

Dhjetë fëmijë të xhihadistëve francezë, të cilët ndodhen në kampe për persona të zhvendosur nën kontrollin kurd në Siri, janë kthyer në Francë, ceket në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Paris.

Këta janë “persona të mitur, jetimë apo raste humanitare”, thuhet në kumtesën e Ministrisë. Nuk është kumtuar se si fëmijët u larguan nga Siria apo ku saktë hynë në Francë.

Fëmijët u janë dorëzuar gjyqësisë franceze, do t’u nënshtrohen kontrolleve speciale mjekësore dhe do të merren nga shërbimet sociale, shtoi Ministria.

Nga disfata e SHI-së në mars të vitit 2019, Franca ktheu gjithsej 28 fëmijë nga Siria. Parisi iu falënderua administratës gjysmë-autonome kurde në Sirinë verilindore për bashkëpunimin në rastin e ri.

Franca refuzon të kthejë në shtëpi rreth 150 qytetarë të saj të rritur, burra dhe gra, duke preferuar të dënohen në vendin e ngjarjes. Situata është komplikuar me praninë e rreth 300 fëmijëve të xhihadistëve francezë, për kthimin e të cilëve kërkohet leja nga nënat e tyre.