Vaksinat DTP për të rriturit kanë mbërritur në vend. Prej sot të rriturit që duan të vaksinohen, mund t’i marrin ato në pikat e vaksinimit. Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri thotë se do ta nënshkruajë vendimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive për vaksinimin e fëmijëve dhe theksoi se edhe pa nënshkrimin e tij, ky vendim është i vlefshëm.
“Tani do ta nënshkruajmë kur të kthehem pas kësaj ngjarje, megjithatë vendimi i Komisionit është i vlefshëm edhe pa nënshkrimin tim. Komisioni përbëhet nga ekspertë të cilët marrin vendime të drejta në interes të qytetarëve dhe në interesin e shpëtimit të jetës. Vaksinat kanë arritur dhe menjëherë mund të aplikohen tek njerëzit që kanë nevojë për rivaksinim.
Prej sot?
Po mundet, mundet.
A mund të kërkojnë vaksina?
Po, po lirisht, ka”, tha Demiri.
Nga ana tjetër Inspektorati Sanitar Shëndetësorë ka kryer inspektime të jashtëzakonshme në çerdhe, për të parë se a po respektohet vendimi që fëmijët e pavaksinuar apo të vaksinuar pjesërisht mos t’i pranojnë në çerdhe. Drejtoresha e Inspektoratit, Renata Mlladenovska, njofton se në Shkup fëmijët janë më pak të vaksinuar, rreth 50%, në krahasim me qytetet tjera ku janë mbi 95%, Mlladenovska vlerësoi se prindërit në qytetet e tjera janë më të përgjegjshëm.
“Përfundimi im është se sa u përket fëmijëve të qyteteve të tjera, prindërit e tyre janë të përgjegjshëm dhe ndjekin kalendarin e rregullt të imunizimit dhe janë vaksinuar rregullisht. Është e qartë se problemi është në qytetin e Shkupit. Mendoj se këto epidemi do të na bëjnë të vetëdijshëm që të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen, me qëllim për të mos na ndodhur dhe për të mos rikthyer sëmundjet infektive”, është shprehur Mlladenovska.
Nga data 8 deri më 14 mars janë raportuar 43 raste të reja me kollë të mirë, me një rënie prej 14 për qind krahasuar me një javë më parë. Shumica janë në Shkup, ndërsa raste janë raportuar edhe në Tetovë, Gostivar dhe Manastir. Mosha e pacientëve shkon deri në 40 vjeç. Numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha e fëmijëve nga 10 deri në 14 vjeç. Nga 50 rastet e reja, 5 janë shtruar në spital. Bëhet fjalë për katër fëmijë nën moshën një vjeç dhe një nga grupmosha një deri në katër vjeç.
