Federata serbe me paralajmërim të rëndësishëm për ndeshjen me Shqipërinë

TË FUNDIT

Federata e Futbollit e Serbisë ka bërë të ditur se do të ketë zero tolerancë ndaj shikuesve që tentojnë të rrezikojnë vijueshmërinë e ndeshjes Serbi – Shqipëri. Në komunikatën e Federatës së Futbollit të Serbisë kanë bërë të ditur se siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ndeshjen në Leskovc do të garantohet nga Federata e Futbollit e Serbisë dhe autoritetet shtetërore serbe.

Njoftimi i Federatës së Futbollit të Serbisë ka ardhur pak orë pas njoftimit nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, se në pikëkalimin e Merdarit është arrestuar një shtetas shqiptar, D.P. (53 vjeç), të cilit iu gjetën “materiale të ashtuquajtura propagandistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Në përgjigje të njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, se në prag të ndeshjes Serbi-Shqipëri një person u arrestua për përpjekje për të futur në vend bluza, flamuj dhe kapele me stemën e organizatës terroriste UÇK, si dhe sende të tjera të ndaluara, Federata e Futbollit e Serbisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për autoritetet kompetente në zbatimin e të gjitha masave të sigurisë.

Ky rast konfirmon edhe një herë nivelin e rrezikut që lidhet me këtë ndeshje, prandaj të gjitha masat e sigurisë do të zbatohen në mënyrë strikte dhe pa përjashtim”, shkruan në njoftimin e Federatës serbe të futbollit.

Serbia dhe Shqipëria do të përballen të shtunën në Leskovc nga ora 20:45. Për të dyja ekipet ka peshë të madhe përballja e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Federata e Futbollit e Serbisë ka bërë të ditur se biletat për ndeshjen kundër Shqipërisë janë të personalizuara dhe sipas njoftimit “hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur nëse emri në biletë nuk përputhet me dokumentin personal”.

Në Federatën e Futbollit të Serbisë kanë pranuar se ka pasur interesim për t’u blerë bileta në treg të zi në disa komuna. Por sipas Federatës, hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur në këtë mënyrë.

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se nuk do të lejohen çakmakët, monedhat dhe objektet e tjera të forta. Por Federata nuk ka përfshirë edhe ndalimin e simboleve të papërshtatshme për ndeshje sportive.

Në stadiumet serbe janë të rregullta simbolet dhe thirrjet anti-Kosovë dhe shqiptari në përgjithësi. Në fund të njoftimit u ka bërë thirrje shikuesve të mbështesin Serbinë në mënyrë sportive, dinjitoze dhe ferplejit.

“Siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ndeshje është përparësi absolute e Federatës së Futbollit të Serbisë dhe autoriteteve shtetërore. FSS deklaron se nuk do të lejojë që të ndodhë asgjë që do të rrezikonte ndeshjen dhe në këtë mënyrë do të shkaktonte dëme konkurruese ose financiare për ekipin kombëtar, Federatën dhe shtetin e Serbisë. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese do të reagojnë profesionalisht, me vendosmëri dhe pa vonesë ndaj çdo përpjekjeje për të shkaktuar një incident ose për të prishur rendin dhe qetësinë”, ka shkruar Federata e Futbollit e Serbisë.

Ndërkohë të enjten me njoftim ka dalë edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në njoftimin e FSHF-së bëhet e ditur mënyra e udhëtimit të Shqipërisë drejt Serbisë.

“Skuadra do të udhëtojë nesër drejt Nishit, ku në orën 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare para ndeshjes me trajnerin dhe një lojtar, në stadiumin ‘Duboçica’, në Leskovc. Pas konferencës, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e fundit në orën 17:30 për të mbyllur përgatitjet për sfidën ndaj Serbisë”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.

Shqipëria e Serbia u përballën më 7 qershor në Tiranë. Ndeshja ishte mbyllur baras 0:0 dhe pa ndonjë incident të madh.