FE: Një vit Qeveri pa legjitimitet etnik! VLEN: BDI për 20 vite degradoi shqiptarët

TË FUNDIT

Në një vit qeverisje të VLEN-it me VMRO-në humbi legjitimiteti i shqiptarëve, ndërsa përfaqësimi është gjithnjë e më i ulët, kritikon opozitarja Fronti Europian. Shefi i grupit parlamentar Blerim Bexheti tha se është heshtur diaspora shqiptare pasi pushteti ka vendosur të llogarisë vetëm popullsinë rezidente në jetën politike. Akuza kishte edhe për gjuha shqipe se po degradohet brutalisht, ku 78 institucione refuzojnë zbatimin e shqipes. Shfuqizimi i balancuesit, sipas tij, është burim i padrejtësive të punësimit të shqiptarëve në institucionet publike dhe avancim vetëm i militantëve partiak të VMRO-së, ndërsa draft Ligji për përfaqësim të drejtë mbetet në labirinte.

“Por, historia na mësoi një të vërtetë të madhe, ne nuk dorëzohemi! Ne nuk heshtim dhe nuk pranojmë kurrë të jemi qytetarë të dorës së dytë. Prandaj, sot bëjmë thirrje të fuqishme që kjo qeveri duhet të mbaj përgjegjësi për përpjekjet e saja të papranueshme për të fshirë shqiptarët nga vendimmarrja. E drejta dhe barazia nuk janë opsione, ato janë të paprekshme, shqiptarët do të vazhdojnë të kërkojnë zë respekt dhe përfaqësim të plotë në këtë shtet”, tha Blerim Bexheti, deputet i Frontit Europian.

Në reagimin e grupit parlamentar të VLEN-it thanë se oponentët e tyre politik po ndërrojnë fanellat nga e kuqja e UÇK-së në parti të Gjelbër, dhe tani nga Fronti Evropian në Front Kombëtar. Deputeti Bekim Qoku u shpreh se shqiptarët, me VLEN-in, për herë të parë gëzojnë status të merituar në institucionet shtetërore.

“Ne e dimë se janë diku 800 avancime që po bëhen në mbarë administratën, vetëm në Kuvend janë 7-8 avancime që janë bërë kohën e fundit, që kanë qenë 15 vite si bashkëpunëtor të rinj. Kemi shqiptar që kërkojnë dinjitet në 1 vit qeverisjen tonë, ka një dalim të jashtëzakonshëm ndërmjet dy qeverive. VLEN gëzon legjitimitet të popullit shqiptar, gjë që u dëshmua fort mirë në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa do ta dëshmoj në mënyrë absolute edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale”, tha Bekim Qoku, deputet i VLEN-it.

Nga Fronti Evropian paralajmërojnë zgjerimin e koalicionit edhe parti të tjera politike, duke synuar të fitojnë në zgjedhjet lokale, por njëkohësisht nuk heqin dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN thanë se kërkesa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare, tregon se vetëm një vit në opozitë nuk kanë reflektuar dhe nuk kanë vizion të qartë për të garuar në lokalet.