FE kërkon përgjegjësi për ndalimin e studentëve! VLEN: Mos manipuloni studentët për qëllime politike

TË FUNDIT

Fronti Evropian kërkon përgjegjësi nga pushteti për, siç thonë, ndalimin e studentëve në kufi me qëllim që të vonoheshin për protestën në Shkup. Nga ky subjekt theksojnë se kërkojnë të dihet se kush ka dhënë urdhrin për këtë veprim, ndërsa porosia e tyre për studentët është: “Nuk jeni vetëm.”

“Kush dha urdhër për ndalimin e studentëve dhe mbi çfarë baze ligjore u pengua protesta? Kërkojmë gjithashtu, identifikim dhe përgjegjësi për çdo person që ka marr pjesë në kufizimin e studentëve.
Për trajtimin e studentëve nga Shqipëria që kishin ardhur në Shkup për të mbështetur protestën, në vend që të garantohej lëvizje e lirë dhe pjesëmarrje demokratike, studentët u penguan dhe u vunë në presion policorë. Mesazhi ynë për studentët është i qartë: nuk jeni vetëm!”, tha Rina Hajdari – Fronti Europian.

Ka reaguar në Facebook edhe Ambasadori i Shqipërisë në RMV, Denion Meidani.

“Kur studentë ndalohen dhe vonohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën Evropiane që synojmë të ndërtojmë si rajon. Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt RMV jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare”, theksoi ambasadori i Shqipërisë në RMV, Denion Meidani.

Ndërsa nga VLEN thonë që opozita shqiptare të mos i manipulojë studentët për qëllime politike.

“Kjo temë nuk duhet të shndërrohet në përplasje ndërmjet institucioneve dhe studentëve. Studentët janë fëmijët tanë, prandaj i ftojmë studentët të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të kenë besim se këtë çështje tashmë e ka marr në duar VLEN-i dhe se e njëjta do të zgjidhet shumë shpejt”, u shpreh Besar Durmishi nga VLEN.

Nga policia për TV21 thonë se nuk ishin ata që bënë ndalesën, kurse dogana thotë se nuk ka urdhëruar skanim të autobusëve. Studentët nga Shqipëria nuk arritën në protestë pasi që u shoqëruan në drejtim të veriut.

“Policia Kufitare, ka lejuar hyrjen në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Brendshme nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të ridrejtuar ose kufizuar lëvizjen e njerëzve ose autobusëve pas hyrjes së tyre në vend. Për informacione shtesë në lidhje me lëvizjen dhe organizimin e transportit pas hyrjes në vend, duhet të kontaktoni institucione të tjera kompetente”, thonë nga MPB për TV21.

Për vonesën e më shumë se një ore të protestës së djeshme në Shkup në pritje të studentëve nga Tirana dhe Prishtina, fillimisht u raportua për rënie të sistemit kufitar dhe pas vonesave të shumta, radhë të gjata pati edhe nëpër pikat pagesore dhe nëpër hyrjet kryesore të kryeqytetit.