Fauçi për vaksinën nga “Moderna”: Vështirë se mund të fitojmë më mirë se kjo

TË FUNDIT

Shumë shkencëtarë dhe mjekë botërorë dolën me reagime entuziaste pas lajmit kryesor të sotëm – se vaksina e koronavirusit të kompanisë farmaceutike amerikane “Moderna” ka pothuajse 95 për qind efikasitet.

“Lajmet nga “Moderna” janë shumë emocionuese dhe ekziston një optimizëm i konsiderueshëm se në muajt e ardhshëm do të kemi përzgjedhje të vaksinave të mira. Na duhen më shumë detaje se sa morëm në kumtesën për publikun, por vetë paralajmërimi kontribuon për një ndjenjë të përgjithshme optimizmi”, deklaroi profesori, Piter Openshou nga kolegji prestigjioz, Imperial në Londër.

“Ne po shohim se vijon një tjetër vaksinë me rezultate të ngjashme të efikasitetit si vaksina e javës së kaluar “Fajzer” dhe ky është një lajm shumë i mirë. Duhet të kemi parasysh se këto janë rezultate të përkohshme që do të thotë se raste të mjaftueshme janë ekzaminuar në subjekte të vaksinuara për të folur për një rezultat statistikisht të rëndësishëm”, deklaroi profesoresha, Trudi Lang nga Universiteti në Oksford.

Suksesin e kompanisë amerikane “Moderna” e komentoi edhe Entoni Fauçi, eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive.

“Këto janë padyshim rezultate shumë emocionuese. Nuk ka gjasa që mund të merren rezultate më të mira se kjo – efikasiteti prej 95 për qind është me të vërtetë i jashtëzakonshëm”, tha Dr. Fauçi për Si-En-En.