Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pohon se po bëhen manipulime me fatura të rrejshme gjatë importit të peletëve në vendin tonë, prandaj, sipas tij, tregtarët me pakicë dhe me shumicë ankohen në çmimin e ngrirë. I revoltuar për këtë, i pari i ekonomisë apeloi te Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe deri tek Dogoanat që të kryejnë kontrolle dhe të gjobisin nëse konfirmojnë për fatura të rrejshme.
“Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se në vendin tonë dorëzohen fatura të rrejshme për importin e peletëve dhe për këtë arsye tregtarët e vegjë dhe të mëdhenj të peletëve në vendin tonë ankohen me çmimin e ngrirë. Çmimi peletit nuk e përcaktohet nga Ministria e Ekonomisë, por vjen si propozim nga ana e “Pyjeve Nacionale” dhe nga çmimet që i kemi formale nga Drejtoria e Doganave. Çmimi i paraqitur në Drejtorinë e Doganave për muajin Nëntor është 24 denarë për kilogramë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Sa i përket çmimeve të ushqime bazë, Ministri Bekteshi pret ulje nga 5 deri në 12-13 për qind në fillim të dhjetorit. Nëse nuk ka një ulje të tillë, siç tha ai sot pas takimit me prodhuesit dhe përfaqësuesit e tregjeve më të mëdha zinxhirore, do të miratohen masat e reja që dalin nga Ligji i Tregtisë.
“Tashmë ka filluar trendi i uljes së çmimeve të disa produkteve, veçanërisht bukës, qumështit, produkteve të qumështit dhe disa produkteve të mishit. Një prodhues i caktuar qumështi para 4-5 ditësh kishte çmim mbi 80 denarë, ndërsa sot çmimi është 76 dhe me shumë mundësi nga 1 dhjetori do të ketë ulje të mëtejshme. Disa prodhues të bukës kanë çmime mbi 40 denarë, ndërsa sot variojnë nga 36 deri në 38 denarë. Dhe atje presim një ulje të mëtejshme. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e mishit”, tha Bekteshi.
Në rast se ka mashtrime me çmimet, Bekteshi paralajmëron sanksione për ato kompani të cilat do të bëjnë shkelje, duke shtuar se në kohë krize barra nuk mund të rëndojë mbi qytetarin!
