“Pasi na qenka kështu, do i shohim gjërat se si do të shkojnë më tutje. Ne jemi në mbrojtje të legjitimitetit dhe fare nuk tërhiqemi dhe qerpiku s’na dridhet sepse jemi në të drejtën tonë, në hakun tonë”, tha Ali Ahmeti – Fronti Europian.
Ky ishte reagimi i kreut të BDI-së Ali Ahmeti por edhe i gjithë Frontit Europian pasi VMRO-DPMNE ditëve në vijim do t’i fillojë negociatat me koalicionin VLEN dhe madje në opinion kanë filluar të publikohen edhe resorët që kanë dakorduar mes vete. Të bashkuar të gjithë liderët e nëntë partive politike të Frontit Europian, dërgojnë mesazhin që nga sot do të dalin me veprime konkrete për të parandaluar keqpërdorimin e legjitimitetit për përfaqësimin e shqiptarëve. Siç thonë, lufta e tyre nuk është për pushtet, por për legjitimitet dhe për shtet stabil.
“Edhe 80 vjet të jemi në opozitë. Çështja e shqiptarëve le të ecë përpara dhe të mos kemi shqiptarë që tradhtojnë sovranin. Kjo është çështja kryesore për ne dhe jo a do jemi apo s’do jemi. Luftën nuk e bëjmë për pushtet por ne duam shtet stabil, në paqe, në siguri dhe funksional me marrëdhënie të mira ndëretnike”, theksoi Ali Ahmeti – Fronti Europian.
Nga Fronti Europian megjithatë nuk treguan saktësisht se çfarë hapash do të ndërmarrin, por për të njëjtat thanë se do të njoftojnë me kohë.
Nga ana tjetër Bilall Kasami nga koalicioni VLEN, thotë se Ali Ahmeti nëse dëshiron të marrë legjitimitetin tek shqiptarët, atëherë në zgjedhjet e radhës duhet të garojë me deputetë të pastër shqiptarë dhe jo në koalicion me parti të komuniteteve tjera.
“Jemi të bindur dhe është e sigurt që koalicioni VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve. Nuk mundet që Ali Ahmeti të garojë në lista shumë etnike dhe të garojë në tjetër ligë e jo në ligën në të cilën ne garuam, e pastaj të rikthehet dhe të thotë se unë jam fitues në ligën ku ai nuk ka garuar. Ali Ahmeti në zgjedhjet e radhës duhet të garojë me lista shqiptare, me parti të koalicionit apo vet ku do të jenë përfaqësues të partive shqiptare dhe pastaj të pretendojë të marrë legjitimitetin”, u shpreh Bilall Kasami – VLEN.
Që të dy koalicionet pretendojnë se u takon legjitimiteti për të përfaqësuar shqiptarët në pushtet, por megjithatë VMRO-DPMNE ka vendosur që të fillojë bisedimet për formim të Qeverisë me VLEN, duke u arsyetuar se natyrisht u takon të negociojnë me parti të opozitës. Ditëve në vazhdim, pritet të bëhen të ditura të gjitha detajet nga përbërja e re qeveritare mes VLEN dhe VMRO-DPMNE.
