Familjet që përkujdesen për fëmijët pa prindër

TË FUNDIT

Anita Nestoroska është nënë e dy fëmijëve të saj biologjik, por bashkë me bashkëshortin e saj ajo gati 10 vite punon edhe si përkujdesëse e fëmijëve të cilët janë braktirsur nga prindërit e tyre.

Në këto 10 vite Anita në shtëpinë e saj ka marrë mbi 10 fëmijë për të cilët është kujdesur me vite njësoj si për fëmijët e saj derisa ata janë kthyer sërish në familje tjetër.

Anita thotë se do të përkujdeset për fëmijë të këtillë të lënë pas dore edhe më tej sepse kjo detyrë e përmbush shpirtërisht atë dhe kënaqet kur i sheh ato fëmijë të lumtur.

 “Punën kur ta fillosh nuk e din se të përmbush, thjeshtë unë jam e lumtur që e bëj këtë punë dhe është mirë kur e din se dikujt i duhesh, ka nevojë për ty dhe ndodh që gjatë ditës angazhimet tona t’i prolongojmë, të jemi të durueshëm duke vrapuar pas tyre dhe gjithçka tjetër, por në mbrëmje kur të përqafojnë dhe kur të thonë se ishte shumë mirë ajo që bëmë sot dhe kur e shef ti sa të lumtur kanë qenë gjatë ditës dhe kalon çdo gjë dhe për ditën tjetër ke më shumë energji”, tha Anita Nestoroska.

Për momentin Anita në shtëpinë e saj ka nën përkujdesje dy fëmijë dhe njërin nga to e ka marrë që kur ishte foshnje. Me këto dy fëmijë është shumë e lidhur dhe nuk e ka ndërmend t’i japë.

Fëmijët me plot dashuri Anitës dhe bashkëshortit të saj ju drejtohen me titullin më të lartë njerëzor nënë dhe baba.

 “Kemi shokë edhe në lagjen Dimitar, po shoqërohemi çdo ditë dhe luajm(ngjitje) Shkojmë në Ohër, unë jap gol luaj futboll”.

Për këto 10 vite Anita tregon momentin më të vështirë kur ajo ka pasur nën përkujdesje një vajzë e cila ishte rritur në rrugë.

 “Erdhi një vajzë dhe e morëm nga rruga, dhe ne në shtëpi pasi që jemi shumë anëtarë të familjes kemi gati çdo muaj nga një ditëlindje dhe ajo pas ditëlindjes së një nga fëmijët ishte shumë e mërzitur, nuk donte të hante, të flinte u shqetësua vajza dhe ne filluam të bisedonim në mbrëmje e pyeta çfarë ndodhi pse u preke që u solle ashtu dhe ajo më tha mua “Unë asnjëherë nuk kam pasur ditëlindjen dhe mua asnjëherë askush s’më ka bërë torte, nuk i kam fryrë qirinjtë dhe s’kam marrë dhurata ndërsa vajza 6 vjeç dhe unë i thash po ti tani do ta kesh ditëlindjen dhe më tha “Vërtet kur”? I thash po tash për dy tre ditë vetëm na duhet kohë të përgatitemi dhe vajza u gëzua dhe më përqafoi”, shtoi Anita Nestoroska.

Nga qendra sociale thonë se në Komunën  e Kërçovës kanë vetëm 10 familje kujdestare, të cilat marrin fëmijë dhe kujdesen për to deri në plotësimin e nevojave të tyre. Ata thonë se njerëzit nuk janë shumë të interesuar për përkujdesje të fëmijëve për një periudhë më të gjatë.

 “Përkujdesi në familje sigurohet në disa forma, përkujdes i përgjithshëm, përkujdes i specializuar, përkujdes intervenues përkujdes i përkohshëm dhe përkujdes familjar. Në Komunën e Kërçovës kemi gjithsej 10 familje përkujdesëse nga të cilat katër janë profesionale, 1 familje e specializuar dhe 5 familje të tjera janë për përkujdesje familjare”, deklaroi LuljetaAjrullai – punonjëse sociale.

Familjet kujdestare marrin pagë mujore nga shteti të cilat vijojnë nga 9 mijë deri në mbi 16 mijë denarë në muaj, gjithashtu familjet të cilat kanë më shumë se 15 vite që punojnë si familje kujdesi dhe nuk kanë të ardhura tjera, shteti ju siguron pension kur të arrijnë moshën e pensionit.