“Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë!”, Rama për protestuesit: Të rinj pa busull!

TË FUNDIT

Reagimet nga kryeministri Edi Rama për çështjen e Zvërnecit nuk kanë të ndalur! Tre postime vetëm në orët e mëngjesit të kësaj të mërkure, 3 qershor.

Ndërsa ndan një video nga protesta me fyerjet e pjesëmarrjeve ndaj tij, kryeministri shprehet “Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste!”

Ai i quan protestuesit “mysafirët e paftuar të natës” në selinë e Partisë Socialiste dhe që i kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve”. Po ashtu i quan të rinjtë “pa busull”.

Postimi i Ramës: MYSAFIRËT E PAFTUAR TË NATËS NË SELINË E PARTISË SOCIALISTE

“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit.

Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek.

Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre.

Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste.